Oferta imobiliare e Greqisë për rusët dhe kinezët: bli shtëpi dhe të jepet pasaportë
Bilanci i tregut imobiliar në Greqi po “shpërthen” teksa oligarkët rusë dhe kinezë po nxitojnë të rrëmbejnë një shtëpi të bukur me pamje nga Partenoni, blerje e cila është një “vizë e artë” sa i përket lëvizjes, pasi i lejon për të hyrë në Evropë si një vend anëtar i Shengenit, pra pa kontrolle doganore.
George Kachmazov, një agjent i pasurive të patundshme ruse, raporton për Bloomberg, se bleu një pronë në Athinë.
Mes rusëve dhe grekëve lidhjet kulturore janë të forta, edhe për shkak të fesë së përbashkët ortodokse dhe alfabetit të ngjashëm.
Drejtori i Përgjithshëm i platformës së pasurive të patundshme Tranio.com, me seli në Moskë, ka blerë një pronë në kryeqytetin grek dhe po fiton edhe pesë të tjerë, me qëllim shitjen e apartamenteve për investitorët ndërkombëtarë.
Një rrezik? Realisht jo. Për Kachmazov, plani i shitjes është i qartë: blerja e pronës në Greqi mund t’i japin investitorit një të ashtuquajtur “vizë të artë”, një pasaportë grekë e rezervuar për një të huaj që bën një blerje të pasurive të patundshme në vendin përkatës, dhe me të përfiton lëvizjen në pjesën më të madhe të Evropës.
Përveç kësaj, tregu i pasurive të paluajtshme të Greqisë mund të jetë gati për një kthim të investimit, duke ndihmuar blerësit të fitojnë para me blerjen e tyre, me një fitim të mirë kapital.
“Tregu i pasurive të patundshme në Greqi është një nga të paktët në Evropë që ende nuk është shëruar nga kriza e rëndë ekonomike e vitit 2008,” tha Kachmazov në një intervistë në Athinë. “Çmimet në Spanjë, Portugali, Irlandë, Poloni dhe Hungari po shkojnë drejt niveleve para krizës për shkak të likuiditetit të lartë të lëshuar nga BQE në Evropë”, tha ai.
Kachmazov është në mesin e agjencive të pasurive të paluajtshme që ndihmon blerësit e interesuar për prona në Greqi, ata nga Rusia, Kina, Turqia dhe vende të tjera, të gatshëm për të investuar në një treg që mund të jetë në prag të një zgjimi, ndërsa vendi është duke u përgatitur për të dalë nga programi i saj i shpëtimit në gusht 2018 dhe kështu kthehet në tregun ndërkombëtar të kapitaleve.
Çmimet e pronës në Greqi ranë me më shumë se 25 për qind, që nga kriza e borxhit evropian që filloi në vitin 2008. Çmimet për apartamente në Athinë brenda pesë viteve u ulën me 45 për qind, në mes të 2008 dhe qershorit 2017, sipas të dhënave të Bankës së Greqisë, udhëhequr nga Janis Sturnaras, ish- Ministri i Financave i qeverisë së dikurshme të Antonis Samaras, shkruan il Sole 24 Ore.
Viza e BE-së
Kërkesa për prona në Greqi nga blerësit kinezë u rrit me pothuajse 159% në tremujorin e tretë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016. Për investitorët kinezë, marrja e vizave për banorët është arsyeja kryesore për të investuar në vend, tha Carrie Law, drejtues i Juwai.com.
“Është një nga vizat më të kërkuara që lejon që investimet e pasurive të paluajtshme të përdoren për të arritur shtetësinë europiane. Përveç kësaj, Greqia është tre deri në katër orë më afër nga ana ajrore në Kinë se sa Barcelona dhe Lisbona, dy qytete të tjera shumë të njohura në vendet që kanë histori sa i përket investimeve interesante, sipas tij. Duke mos harruar të përmendet se prania ekonomike kineze në vendin e Mesdheut është shumë e fortë, vetëm kujtoni se porti i Pireut është në duart e kompanisë Cosco.”-tha ai.
Greqia ka dhënë 2.053 “viza të arta” ndërmjet 2013 dhe tetorit 2017, për investitorë kinezë që përfaqësojnë 43%, sipas agjencisë shtetërore përgjegjëse për nxitjen e investimeve dhe eksporteve. Rusët janë në vendin e dytë me 18.6 për qind dhe investitorët e Turqisë fqinje në vendin e tretë me 8.4 për qind. Greqia ka përfituar mbi 513 milionë euro investimeve të huaja nga programi «viza e artë».