OKB – Lavrov: Rusia nuk do të bëjë pauzë në luftën kundër Ukrainës
NJU JORK, 23 shtator /ATSH-AFP/ – Rusia “nuk do të bëjë pauzë” në luftën e saj kundër Ukrainës, deklaroi sot ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, gjatë një fjalimi në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Deklarata e tij vjen një ditë pasi Kievi dhe Uashingtoni diskutuan mundësinë e një moratoriumi për sulmet ndaj objekteve energjetike.
“Ne nuk do të bëjmë pauzë në operacionin tonë të posaçëm ushtarak”, tha Lavrov, duke përdorur terminologjinë zyrtare të Moskës për konfliktin në Ukrainë.
Sipas ministrit të Jashtëm rus, “Evropa dëshiron të sigurojë një pauzë për ta përdorur atë për furnizimin e Ukrainës me armë”.
Lavrov e paraqiti kështu kundërshtimin e Moskës ndaj një ndërprerjeje të mundshme të përkohshme të operacioneve ushtarake.
Një ditë më parë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ishte shprehur i gatshëm të pranonte një moratorium për sulmet ndaj objekteve energjetike, nëse edhe Moska do të ndërmerrte të njëjtin hap.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së se një marrëveshje mes Ukrainës dhe Rusisë do të arrihej “më shpejt nga sa mendohet”.
Deklaratat pasqyrojnë qëndrime të ndryshme lidhur me mundësinë e një ndërprerjeje të përkohshme të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike, ndërsa vazhdojnë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.