OKB – Trump: Shqipëria dhe Kosova mes vendeve që angazhohen për stabilizimin e Gazës
– Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka falënderuar vendet që, sipas tij, janë angazhuar për të ndihmuar në stabilizimin e Rripit të Gazës, duke përmendur edhe Shqipërinë dhe Kosovën.
Në deklaratën e tij, Trump tha se disa vende kanë marrë përsipër të dërgojnë trupa dhe forca policore, si dhe të ofrojnë trajnime në kuadër të përpjekjeve për stabilizimin e situatës në Gaza.
“Dua të falënderoj vendet që janë angazhuar për të dërguar trupa, forca policore dhe për të ofruar trajnime për të ndihmuar në stabilizimin e Gazës, përfshirë Indonezinë, Marokun, Shqipërinë, Kosovën, Kazakistanin, Egjiptin, Jordaninë dhe të tjera”, tha Trump, sipas transkriptit të fjalimit të tij sipas un.org.
Trump shprehu gjithashtu mirënjohjen për Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për mbështetjen unanime, sipas tij, ndaj planit prej 20 pikash për paqen në Gaza dhe për miratimin formal të Bordit të Paqes.
Sipas Trump, në këtë strukturë janë bashkuar rreth 30 vende, ndërsa ai vetë tha se ka nderin ta drejtojë atë.
Presidenti amerikan përmendi gjithashtu kontributet financiare për ndihmën humanitare dhe rindërtimin e Gazës, duke veçuar Marokun, Bahreinin, Kazakistanin, Turqinë dhe Uzbekistanin.
“Jemi mirënjohës ndaj këtyre shteteve anëtare që kanë kontribuar me miliarda dollarë për ndihmën humanitare dhe rindërtimin”, deklaroi Trump.
Ai shtoi se edhe vende të tjera po kontribuojnë në nivele që, sipas tij, kanë qenë të jashtëzakonshme.
Në të njëjtën deklaratë, Trump tha se që prej marrjes së detyrës ka pasur mundësinë të ndihmojë në zgjidhjen e tetë luftërave dhe se është bërë mik me liderët e vendeve të përfshira./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.