Oligarku ukrainas Vadim Novinski merr nënshtetësinë serbe — vendimi i firmosur nga kryeministri në detyrë Đuro Macut
Vendimi u publikua në Fletoren Zyrtare të Serbisë dhe u miratua në mbledhjen e Qeverisë së Serbisë më 24 shtator.
Vadim Vladislavoviç Novinski, një nga miliarderët më të njohur të Ukrainës, ka marrë nënshtetësinë e Serbisë, njoftoi gazeta serbe “Danas”. Vendimi u publikua në Fletoren Zyrtare të Serbisë dhe u firmos nga kryeministri në detyrë teknik Đuro Macut në mbledhjen e Qeverisë së Serbisë të mbajtur më 24 shtator.
Novinski, i lindur më 3 qershor 1963 në Staraya Russa të Rusisë në një familje armene, është shtetas ukrainas — dhe tashmë edhe shtetas serb. Ai u diplomua në vitin 1985 në Akademinë e Aviacionit Civil dhe Inxhinierisë në Leningrad. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik mori nënshtetësinë ruse, u zhvendos në Ukrainë në vitin 1996 dhe në vitin 2012 u bë shtetas ukrainas.
Ai konsiderohet si një nga oligarkët e Ukrainës, pasurinë e të cilit e fitoi në privatizimet e dyshimta të viteve ’90. Novinski është pronar i grupit “Smart Holding”, i cili vepron në fusha të ndryshme, përfshirë gazin natyror, ushqimet e konservuara, projektet infrastrukturore dhe kantieret detare. Revista “Forbes” e vlerësoi pasurinë e tij në 1,2 miliardë dollarë amerikanë në korrik të vitit 2026.
Novinski ka qenë deputet i pavarur nga Krimeja në parlamentin e Ukrainës në periudhën 2013–2022 dhe ka përfaqësuar Ukrainën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Ai kundërshtoi aneksimin rus të Krimesë në vitin 2014, ka qenë anëtar i delegacionit të paqes me separatistët e Donetskut dhe Luganskut, kundërshtoi invazionin rus të Ukrainës dhe u largua në mërgim në vitin 2023.
Në vitin 2018 Rusia i vendosi sanksione Novinskit — të cilat i hoqi në vitin 2020 — ndërsa Kievi i vuri sanksione në fund të vitit 2022 dhe në fillim të vitit 2023, duke i sekuestruar pasuri me vlerë mbi 1 miliard dollarë. Një javë para se Kievi të vendoste sanksionet, ai i transferoi aksionet e tij në një trust në Qipro. Në janar të vitit 2025, autoritetet ukrainase hapën ndaj tij procedim për tradhti dhe përhapje të urrejtjes fetare; Novinski flet për përndjekje politike dhe fetare dhe ka ngritur çështje në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Ai është proto-dhjak i Kishës Ortodokse Ukrainase, mbrojtës dhe donator i madh i saj, dhe ka kritikuar ndarjet kishtare si dhe krijimin e Kishës Ortodokse të Ukrainës, e njohur nga Patriarkana Ekumenike e Stambollit.
Burimi: Danas



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.