PARIS – Pritje madhështore për papa Leonen XIV
PARIS, 26 shtator /ATSH-DPA/ – Dhjetëra mijëra besimtarë u mblodhën sot në qendër të Parisit për të marrë pjesë në meshën e drejtuar nga papa Leone XIV, ndërsa mijëra të tjerë pritën për orë të tëra në radhë përpara nisjes së ceremonisë.
Rreth 600 mijë persona ishin regjistruar për meshën e pasdites në ”Place de la Concorde”, pranë Champs-Élysées.
Përpara ceremonisë, besimtarët kaluan kohën duke kënduar në grupe kori, ndërsa disa prej tyre mbanin veshur fanella të kombëtares franceze të futbollit me mbishkrimin “Pape Léon” dhe numrin 14, në një referencë simbolike ndaj emrit të papës.
Për arsye sigurie, zona të gjera përreth Champs-Élysées, si dhe hapësira përgjatë lumit Sena, u rrethuan dhe u kufizuan për qarkullimin.
Papa Leone XIV, kreu i Kishës Katolike me rreth 1,4 miliardë besimtarë në mbarë botën, ndodhet në Francë që prej së premtes, në kuadër të një vizite katërditore.
Gjatë paradites së së shtunës, Papa vizitoi një qendër sociale dhe më pas u takua me të rritur që ishin pagëzuar së fundmi.
Ai i bëri thirrje atyre të qëndrojnë të palëkundur në besimin e krishterë dhe ta përhapin atë tek të tjerët.
Sipas Konferencës së Ipeshkvijve të Francës, këtë vit në vend janë pagëzuar 13 mijë të rritur, rreth tre herë më shumë se një dekadë më parë.
Në të kundërt, numri i pagëzimeve të foshnjave është më shumë se përgjysmuar që nga viti 2000.
Pas meshës në Paris, papa Leone XIV pritet të udhëtojë drejt Lourdes, në jugperëndim të Francës, një prej vendeve më të njohura të pelegrinazhit katolik.
Lourdes u shndërrua në një qendër të rëndësishme pelegrinazhi pas dëshmive të Bernadette Soubirous, një vajze të re nga një familje fshatare, e cila në vitin 1858 raportoi se kishte parë shfaqje të Virgjëreshës Mari./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.