Orari i protestës, përçarje mes studentëve dhe ‘flamingove’ në bulevard! Mbledhje mes debatesh te ‘sofra’ e Kryemin
Një grup protestuesish janë mbledhur në bulevard para kryeministrisë.
Para sofrës së betonit përmes të cilës kryeministri Edi Rama i fton në dialog, ata kërkuan të bëjnë një takim të mbyllur, duke formuar një rreth, pa praninë e medias, për të ndarë së pari mes tyre, së pari, se kur do të jetë orari zyrtar i protestave, nisur nga kakofonia që ka pasur me organizatorëve të ndryshëm.
Disa të pranishëm vunë në dukjen përçarjen që ka nisur sa i përket emërtimit të protestës, flamingo apo student, një ndarje që sipas tyre nuk duhet të ekzistojë
“Nuk ka rëndësi a janë apo jo student, lëvizja është e gjithë Shqipërisë”, tha një prej personave në protestë, i cili theksoi se problemi madhor mbetet caktimi i një orari të saktë se kur do të jetë protesta gjatë javës, dhe një kohë specifike edhe për tubimin në fundjavë.
“Unë nuk di kur të thërras njerëzit, dal në intervista nuk di të them orën e protestës”, theksoi ai.
Pas këtij fjalimi, disa të rinj të tjerë thërritën në kor “Flasin studentët”, duke lënë qartazi të kuptohet se personi që kërkonte të mos kishte ndarje në protestë, nuk ishte një student.
“Jep zgjidhje, jo fjalim”, u përgjigj një tjetër i ri.
“Ne të sheshit jemi shqiponja, nuk jemi flamingo”, thotë një i ri, nga grup i studentëve duke dashur të ndahet nga grupet e tjera që kanë qenë edhe në protestat e të ashtuquajturit revolucioni flamingo.
Të tjerë zëra kërkuan që zgjidhja të vijë nga secili fakultet, dhe diskutimet të mos bëhen në shesh por në auditorë.
“Kjo është mbledhje studentësh, ç’punë kanë të tjerët”, thotë një tjetër qytetar.
Sot që në të gjitha universitet në vend iu dha fund bojkotit disa ditor, në këtë takim ishte dhe Aleksandër Biberaj, ish-deputet demokrati dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së, pedagog te Politekniku, i cili ka marrë pjesë në protestat në shesh. Ai sugjeroi që të bëhen takime edhe me profesorë në fakultete “për të krijuar një përfaqësi”.
Ky takim ku media u kërkua të mos filmonte me kamera, u karakterizua me zëra të tensionuar mes palëve, shpesh herë edhe duke i ndërprerë fjalën njëri-tjetrit me tone të ngritura.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.