Pagesat me kartë në urban, ekspertët: Menaxhimi publik ul kostot dhe shmang rritjen e biletës
Ndarja e kostos për komisionin bankar në rast pagese elektronike në shërbimin urban është zgjidhur përkohësisht me shtyrjen e detyrimit ligjor, afati i fundit për zbatimin e të cilit është mbarimi i qershorit.
Efekti që do të rriste me 30 lekë çmimin e biletës nëse paguhet me kartë bankare është shmangur, në të njëjtën kohë që ekspertët e rendisin funksionimin aktual të këtij shërbimi si të pafavorizuar përmes operatorëve privatë.
“Minimalisht do të zerojë pjesa e fitimit të sipërmarrjes. Në këtë nivel cilësie të kërkuar, nuk mund të ofrohet nga sipërmarrja private, pasi kostoja është e lartë dhe, duke llogaritur edhe një nivel të caktuar fitimi, çmimi final i përdorimit, më mirë të themi nga qytetarët, thjesht do të rezultonte relativisht i lartë”, thotë Prof. Dr. Elvin Meka
Rreth 22 linja urbane kanë mbuluar, sipas shifrave të vitit 2024, rreth 8.7 milionë km/vit shërbim urban për mbi 66 milionë udhëtime/vit. Kthimi i këtij shërbimi përmes kompanive publike do të ndihmonte edhe në uljen e evazionit fiskal, si edhe në negociimet për mbarëvajtjen e shërbimeve të tjera.
“Çmimet luhaten në mënyrë të vazhdueshme për sa i përket karburanteve. Bashkisë i duhet vazhdimisht të negociojë me sipërmarrjen private dhe këtu ka gjithmonë shteg për abuzim. Aplikimi i teknologjisë, duke neutralizuar ose minimizuar pothuajse në zero të gjithë diskursin disi absurd që bëhet sot për sa i përket kostove të transaksioneve, kostove të pajisjeve, teknologjisë e të tjera. Këto janë problematika që, në kuadër të një shërbimi publik, janë shumë më lehtësisht të negociueshme”, thotë Meka.
Po ashtu, një operim me ndërmarrje publike do t’u përgjigjej edhe politikave sociale.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.