⛈️
Tiranë 25°C · Stuhi me breshër 12 September 2026
S&P 500 7,657 ▲0.86%
DOW 52,573 ▲0.98%
NASDAQ 26,333 ▲0.96%
NAFTA 100.05 ▼2.37%
ARI 4,409 ▲0.04%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1601 EUR/GBP 0.8579 EUR/CHF 0.9465 EUR/ALL 92.0477 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3518 EUR/TRY 56.3896 EUR/JPY 178.41 EUR/CAD 1.6082 EUR/USD 1.1601 EUR/GBP 0.8579 EUR/CHF 0.9465 EUR/ALL 92.0477 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3518 EUR/TRY 56.3896 EUR/JPY 178.41 EUR/CAD 1.6082
₿ CRYPTO
BTC $77,314 ▼ -0.46% ETH $2,541 ▲ +1.41% XRP $1.3683 ▲ +0.4% SOL $101.9000 ▲ +0.56%
S&P 500 7,657 ▲0.86 % DOW 52,573 ▲0.98 % NASDAQ 26,333 ▲0.96 % NAFTA 100.05 ▼2.37 % ARI 4,409 ▲0.04 % S&P 500 7,657 ▲0.86 % DOW 52,573 ▲0.98 % NASDAQ 26,333 ▲0.96 % NAFTA 100.05 ▼2.37 % ARI 4,409 ▲0.04 %
EUR/USD 1.1601 EUR/GBP 0.8579 EUR/CHF 0.9465 EUR/ALL 92.0477 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3518 EUR/TRY 56.3896 EUR/JPY 178.41 EUR/CAD 1.6082 EUR/USD 1.1601 EUR/GBP 0.8579 EUR/CHF 0.9465 EUR/ALL 92.0477 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3518 EUR/TRY 56.3896 EUR/JPY 178.41 EUR/CAD 1.6082
12 Sep 2026
Breaking
Opinion

Unë jam me Petrit Malajn

Nga Ylli Manjani

Nuk e njoh Petrit Malajn si person. Nuk kam asnjë ide të veçantë se si është si ministër, sa mirë apo sa keq e ka bërë detyrën e tij. Por për një gjë nuk kam asnjë mëdyshje: për rezistencën e tij për të mos lejuar futjen e duarve në Thesarin e Shtetit sipas qejfit të gjykatësve dhe prokurorëve, unë jam me Petrit Malajn.

Prej dy javësh Shqipëria po sheh një reagim që nuk ka asgjë të përbashkët me funksionimin normal të një shteti kushtetues. Një pushtet i tërë ka braktisur rolin e tij kushtetues dhe është shndërruar në një sindikatë që merr vendime për interesin e vet. Kjo nuk është drejtësi. Kjo është sindikalizëm institucional.

Thesari i Shtetit nuk është kasaforta e një pushteti. Është institucioni ku ekzekutohen pagesat që urdhëron ligji. Pikërisht ligji. Jo vendime që burojnë nga interesi i atyre që i marrin. Në një shtet normal, askush nuk i jep vetes të drejtën të urdhërojë pagesa publike jashtë mekanizmit ligjor. Aq më pak pushteti që duhet të jetë arbitri i ligjit. Edhe i famshmi vendim me numër 15, i Gjykatës Kushtetuese bëhet i zbatueshëm vetëm pasi e njeh ligji dhe, jo sindikata antikushtetutë e drejtësisë.

Ajo që po ndodh është e paprecedentë. Gjykata merr vendim për t’i thënë ministrit të Financave: hap Thesarin dhe paguaj sipas vendimit tonë. Praktikisht i kërkohet ekzekutivit të dorëzojë çelësat e arkës së shtetit një pushteti tjetër, pa ligj të Parlamentit. Ky nuk është kontroll dhe balancë pushtetesh. Kjo është grabitje kompetence kushtetuese të një organi tjetër, me qëllim për të grabitur thesarin e shtetit.

Në tridhjetë e katër vite punë me ligjin nuk kam parë një situatë të tillë. Mund të kem parë vendime të gabuara, interpretime të diskutueshme, edhe abuzime. Por që një pushtet të përdorë autoritetin e tij për të vendosur mbi pagën e vet dhe pastaj të kërkojë ekzekutimin me forcë të këtij vendimi, kjo është një ngjarje me përmasa të jashtëzakonshme.

Po, cinikisht më vjen në mendje shprehja: “Ata që e bënë këtë reformë, ja pafshin hajrin.” Sepse reforma që premtoi drejtësi po prodhon një drejtësi që sillet si korporatë me privilegje. Por cinizmi nuk mjafton. Përpara tij qëndron detyrimi për të mbrojtur rendin kushtetues.

E di që do të dalin formalistët. Ata që do të thonë se çdo vendim gjykate duhet zbatuar verbërisht. Por pyetja është shumë më e rëndë: çfarë ndodh kur një pushtet përdor kompetencën e tij për të vendosur harbutërisht për xhepin e vet? Çfarë ndodh kur po ai pushtet nuk jep llogari askund për vonesat, për shërbimin që nuk ofron, për dosjet që zvarriten, për qytetarët që presin vite për një vendim?

Sundimi i ligjit nuk do të thotë sundimi i një pushteti mbi të tjerët. Do të thotë që secili pushtet qëndron brenda kufijve që i vendos Kushtetuta.

Pagat publike nuk i cakton sindikata. Nuk i cakton gjykata për veten e saj. I cakton ligji. Dhe Thesari nuk paguan sipas dëshirës së askujt; paguan sipas ligjit.

Më shqetësuesja është kërcënimi me ndjekje penale ndaj ministrit që refuzon të veprojë jashtë ligjit. Këtu konflikti nuk është më për paga. Është për vetë shtetin.

Ta çojmë deri në fund këtë logjikë absurde. Supozojmë se sindikata e drejtësisë heton ministrin. E arreston. E dënon. Me cilën polici do ta zbatojë vendimin? Me Policinë e Shtetit, që është pjesë e ekzekutivit? Në cilin burg do ta çojë? Kush do ta ekzekutojë një vendim të marrë në një gjendje lufte ndërmjet pushteteve?

Kjo është rruga drejt një përplasjeje institucionale që nuk mbahet mend në asnjë model shteti demokratik.

Prandaj unë jam pa asnjë ekuivok me qëndrimin rezistues të Petrit Malajt. Jo sepse mbroj ministrin. Jo sepse mbroj qeverinë. Por sepse mbroj një parim shumë më të madh se emrat: Thesari i Shtetit nuk mund të merret peng nga askush, as nga politika dhe as nga drejtësia.

Nëse sot pranojmë që një pushtet të urdhërojë pagesa për veten e tij, nesër nuk do të kemi më ndarje pushtetesh. Do të kemi një pushtet që gjykon, vendos, urdhëron pagesën dhe kërcënon penalisht këdo që nuk bindet.

Më keq akoma do kemi një shtet në kaos financiar. As te shteti i Sudes nuk ka ndodhur ky kaos që sugjeron pushtetit sindikalist i drejtësisë.

Ky nuk është sundim i ligjit.

Ky është sundim i sindikatës antikushtetutë mbi shtetin. Është një antikushtetutshmëri që nuk ka se si ta konstatojë një gjykatë që e ka shkaktuar atë!

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.