Paraburgim për shoferin e kamionit nga Ulqini pas aksidentit fatal pranë Sveti Stefanit
Gjyqtari hetues i Gjykatës Themelore të Kotorrit, Shpiro Paviçeviq, caktoi masën e paraburgimit për shoferin e kamionit nga Ulqini, Lj. A., i përfshirë në aksidentin e rëndë rrugor pranë Sveti Stefanit, ku humbi jetën një grua 61-vjeçare, siç njofton Vijesti.
Sipas Vijesti-t, gjyqtari e dëgjoi të akuzuarin në prani të mbrojtësit dhe pranoi propozimin e prokurorisë për paraburgim, për shkak të rrezikut të arratisjes. Ulqinaku, i lindur në vitin 1998, është dërguar në Burgun Hetues të Spuzhit, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale të rëndë kundër sigurisë së trafikut publik.
Aksidenti ndodhi më 22 nëntor në vendin e quajtur Crvena glavica, pranë Sveti Stefanit, në rrugën Budva–Tivar. Në përplasjen mes kamionit të tipit “MAN” me targa të Ulqinit, që lëvizte nga Budva drejt Tivarit, dhe një automjeti “Suzuki” me targa të Kotorrit, që vinte nga drejtimi i kundërt, humbi jetën pasagjerja J. S. (61 vjeçe).
Tre persona të tjerë mbetën të plagosur dhe u transportuan në spitalin e Tivarit. Hetimet në vendngjarje u kryen nga policia, me urdhër të prokurorit të Kotorrit, siç njofton Vijesti.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.