⛅
Tiranë 22°C · Pjesërisht vranët 12 Nëntor 2026
S&P 500 7,619 ▲1.31%
DOW 52,486 ▲0.49%
NASDAQ 25,466 ▲1.6%
NAFTA 86.10 ▼0.5%
ARI 3,948 ▼1.3%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1113 EUR/GBP 0.8359 EUR/CHF 0.9233 EUR/ALL 90.7783 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5849 EUR/TRY 55.8128 EUR/JPY 177.23 EUR/CAD 1.5815 EUR/USD 1.1113 EUR/GBP 0.8359 EUR/CHF 0.9233 EUR/ALL 90.7783 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5849 EUR/TRY 55.8128 EUR/JPY 177.23 EUR/CAD 1.5815
₿ CRYPTO
BTC $73,456 ▼ -0.5% ETH $2,046 ▼ -0.62% XRP $1.0523 ▼ -0.67% SOL $83.1600 ▼ -0.47%
S&P 500 7,619 ▲1.31 % DOW 52,486 ▲0.49 % NASDAQ 25,466 ▲1.6 % NAFTA 86.10 ▼0.5 % ARI 3,948 ▼1.3 % S&P 500 7,619 ▲1.31 % DOW 52,486 ▲0.49 % NASDAQ 25,466 ▲1.6 % NAFTA 86.10 ▼0.5 % ARI 3,948 ▼1.3 %
EUR/USD 1.1113 EUR/GBP 0.8359 EUR/CHF 0.9233 EUR/ALL 90.7783 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5849 EUR/TRY 55.8128 EUR/JPY 177.23 EUR/CAD 1.5815 EUR/USD 1.1113 EUR/GBP 0.8359 EUR/CHF 0.9233 EUR/ALL 90.7783 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5849 EUR/TRY 55.8128 EUR/JPY 177.23 EUR/CAD 1.5815
12 Nën 2026
Breaking
Kosova

Paralajmërohet dimër i vështirë energjetik për Kosovën

Çmimet e larta në tregjet ndërkombëtare, rritja e kostos së energjisë për bizneset dhe miliona eurot e shpenzuara për import po e rëndojnë sektorin energjetik të Kosovës në prag të dimrit.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, paralajmëron sërish një dimër të vështirë energjetik për Kosovën dhe Evropën, duke përmendur çmime deri në 500 euro për megavat-orë në tregjet ndërkombëtare. Megjithatë, katër vjet pas paralajmërimeve të ngjashme, mbetet e paqartë se cilat masa konkrete po ndërmerr Qeveria për ta përgatitur vendin për sezonin e dimrit.

Në një intervistë televizive Rizvanolli ka paralajmëruar se Kosova dhe pjesa tjetër e Evropës do të përballen me vështirësi gjatë këtij dimri, si në aspektin e furnizimit me energji elektrike, ashtu edhe për sa i përket çmimeve.

Sipas saj, çmimet në tregjet ndërkombëtare kanë arritur deri në 500 euro për megavat-orë, ndonëse temperaturat ende nuk kanë rënë ndjeshëm dhe dimri nuk ka hyrë në fazën e tij më të ftohtë.

Ministrja ka fajësuar konfliktin në Iran dhe mbylljen e Ngushticës së Hormuzit për këtë situatë, duke e krahasuar atë me krizën energjetike të dimrit të vitit 2021.

“Nëse mund ta përmbledh shkurt, ky dimër do të jetë një dimër i vështirë për gjithë Evropën, madje globalisht. Sa për ilustrim, nëse ju kujtohet në dimrin e vitit 2021 kishim një krizë që në atë kohë ishte e paprecedentë, në kohën e Krishtlindjeve, kur çmimi dhe konsumi ishte rritur, kishte arritur çmimi në tregje ndërkombëtare pak më shumë se 500 euro për megavat/orë”, ka deklaruar Rizvanolli.

Ajo ka thënë se edhe këtë vit, në gjysmën e parë të nëntorit, çmimet kanë arritur në nivele të ngjashme, pa pasur ende rënie të ndjeshme të temperaturave.

“Sot, përderisa po flasim, jemi në gjysmën e parë të nëntorit dhe qysh në ditët e para, ende pa u bërë shumë ftohtë, në tregje ndërkombëtare ka arritur çmimi 500 euro. Arsyeja kryesore për këtë është konflikti në Iran dhe mbyllja e Ngushticës së Hormuzit”, ka thënë ministrja.

Katër vjet më parë, i njëjti paralajmërim

Paralajmërimi i Rizvanollit për një dimër të vështirë nuk është i ri.

Më 29 shtator 2022, gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ministrja kishte deklaruar se Kosovën dhe Evropën i priste një dimër i vështirë, duke paralajmëruar edhe mundësinë e reduktimeve të energjisë elektrike.

“Duhet të jemi të sinqertë të gjithë, na pret një dimër i vështirë neve dhe tërë Evropën. Po pritet të përballemi me krizë të rëndë deri në reduktime, vetëm se kanë filluar në disa shtete të ndalojnë ngrohjen për mbi 19 gradë Celsius”, kishte deklaruar ajo.

Kështu, katër vjet më vonë, mesazhi i ministres mbetet pothuajse i njëjtë: dimër i vështirë, krizë energjetike dhe çmime të larta.

“Ky dimër do të jetë një dimër i vështirë për gjithë Evropën, madje globalisht”, është paralajmërimi që Rizvanolli po e përsërit edhe këtë vit.

Megjithatë, përtej deklaratave për situatën ndërkombëtare, qytetarët dhe bizneset presin të dinë se çfarë masash konkrete po ndërmerren nga Qeveria e Kosovës për përballimin e sezonit të dimrit.

Bizneset paralajmërojnë shtrenjtim deri në 10 për qind

Paralajmërimet për një dimër të vështirë energjetik po shoqërohen edhe me shqetësime për ndikimin e kostos së energjisë elektrike në ekonominë e vendit.

Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka shprehur shqetësim për rritjen e kostos së energjisë elektrike për ndërmarrjet që operojnë në tregun e lirë, duke paralajmëruar se kjo mund të reflektohet drejtpërdrejt në çmimet e produkteve dhe shërbimeve.

Sipas kësaj organizate, nga ankesat e pranuara prej bizneseve të mëdha, rritja e kostos së energjisë pritet të ndikojë në shtrenjtimin e produkteve dhe shërbimeve për konsumatorët, me një rritje të vlerësuar nga 4 deri në 10 për qind.

Shqetësim i veçantë është ndikimi te prodhuesit vendorë, të cilët, sipas Lidhjes së Bizneseve, do të përballen me vështirësi për të përballuar kostot e reja pa rritur çmimet e produkteve të tyre.

Kjo situatë, sipas tyre, mund të dobësojë konkurrueshmërinë e prodhuesve vendorë përballë produkteve të importuara, të dëmtojë prodhimin, të zvogëlojë aktivitetin ekonomik dhe të rrezikojë vendet e punës.

Lidhja e Bizneseve ka kritikuar edhe kalimin në tregun e lirë të energjisë pa një plan të qartë tranzicioni dhe pa masa mbështetëse për ndërmarrjet, duke vlerësuar se kjo po krijon pasiguri dhe kosto shtesë për sektorin privat.

“Lidhja e Bizneseve të Kosovës kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe autoritetet rregullatore: 1. Vlerësim urgjent të ndikimit të kostos së energjisë në sektorin privat. 2. Shqyrtimin e mekanizmave për lehtësimin e kostove për bizneset. 3. Masa konkrete për mbrojtjen e prodhimit vendor dhe konkurrueshmërisë së tij ndaj produkteve të importuara.

Energjia elektrike është një nga faktorët kryesorë të prodhimit dhe zhvillimit ekonomik. Prandaj, institucionet duhet të veprojnë me urgjencë, për të parandaluar dëmtimin e bizneseve, shtrenjtimin e produkteve dhe dobësimin e pozitës së prodhuesve vendorë në treg. Prodhimi vendor duhet të mbështetet dhe të mbrohet, jo të vendoset në pozitë të pafavorshme përballë importit”.

Mbi 205 milionë euro import energjie për dhjetë muaj

Në ndërkohë, të dhënat për blerjen dhe importin e energjisë elektrike tregojnë për shpenzime të konsiderueshme të Kosovës, me miliona euro të paguara brenda ditës dhe shuma që kalojnë 200 milionë euro përgjatë dhjetë muajve të parë të vitit.

Vetëm për periudhën 28 tetor – 3 nëntor 2026, shpenzimet për blerjen e energjisë elektrike kanë arritur në 14 milionë e 915 mijë e 923 euro e 88 centë.

Kjo nënkupton se për shtatë ditë janë shpenzuar mesatarisht mbi 2.1 milionë euro në ditë për blerjen e energjisë elektrike.

Shpenzimi më i lartë ditor në këtë periudhë është regjistruar më 28 tetor, kur blerja e energjisë ka kushtuar 2 milionë e 385 mijë e 449 euro e 33 centë. Një ditë më pas, më 29 tetor, janë shpenzuar 2 milionë e 373 mijë e 489 euro e 37 centë.

Më 30 tetor, kostoja e blerjes së energjisë ka qenë 2 milionë e 127 mijë e 378 euro e 18 centë, ndërsa më 31 tetor janë paguar 2 milionë e 349 mijë e 582 euro e 63 centë.

Më 1 nëntor shpenzimet kanë rënë në 1 milionë e 215 mijë e 816 euro e 59 centë, por kjo rënie ka qenë e përkohshme. Më 2 nëntor, blerja e energjisë ka kushtuar 2 milionë e 300 mijë e 679 euro e 64 centë, ndërsa më 3 nëntor edhe 2 milionë e 163 mijë e 528 euro e 14 centë.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, importi i energjisë elektrike gjatë periudhës janar–tetor 2026 ka arritur vlerën prej 205 milionë e 340 mijë e 697 euro e 78 centë.

Muaji janar ka regjistruar vlerën më të lartë të importit, me 35 milionë e 806 mijë e 685 euro. Në shkurt, importi ka kushtuar 21 milionë e 81 mijë e 77 euro, ndërsa në mars vlera ka qenë 16 milionë e 689 mijë e 268 euro.

Në prill, Kosova ka importuar energji elektrike në vlerë prej 16 milionë e 866 mijë e 538 euro, kurse në maj shpenzimet kanë arritur në 15 milionë e 710 mijë e 488 euro.

Gjatë qershorit, vlera e importit është rritur në 21 milionë e 865 mijë e 528 euro, ndërsa korriku ka shënuar nivelin më të ulët të importit gjatë këtij viti, me 9 milionë e 230 mijë e 499 euro.

Në gusht, importi ka kushtuar 17 milionë e 200 mijë e 673 euro, ndërsa në shtator është regjistruar një rritje e konsiderueshme, me 27 milionë e 691 mijë e 244 euro. Për muajin tetor, vlera e importit të energjisë elektrike ka arritur në 23 milionë e 198 mijë e 693 euro.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka reaguar lidhur me këto shpenzime, duke vënë në pah koston prej 27.6 milionë eurosh për muajin shtator.

“30 Ditë Shtatori, 27.6 Milionë Euro kosto e rrymës. Era Mafia Energjetike!”, ka shkruar Ymeri në një reagim publik.

Ymeri ka ngritur vazhdimisht shqetësime për shpenzimet e importit të energjisë elektrike, tregtimin e rrymës dhe transparencën në marrëveshjet energjetike, duke përdorur edhe termin “mafia energjetike” për të përshkruar atë që e konsideron si një rrjet interesash në sektorin e energjisë.

Ndërkohë, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në publikimin e fundit për statistikat e energjisë, ka treguar se gjatë muajit gusht 2026 konsumi i energjisë elektrike në Kosovë ka arritur në 453.38 GWh, duke shënuar rritje prej 17.95 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraprak.

Sipas ASK-së, energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 544.61 GWh, apo 8.46 për qind më shumë se në gushtin e vitit 2025.

Gjatë kësaj periudhe, importi i energjisë elektrike arriti në 400.82 GWh, ndërsa eksporti ishte 311.21 GWh, ku në këtë shifër përfshihet edhe sasia e transmisionit.

ASK ka bërë të ditur se pjesëmarrja e energjisë elektrike alternative në konsumin e përgjithshëm ishte 7.42 për qind. Ndërkohë, prodhimi bruto i energjisë elektrike nga hidrocentralet arriti në 7.47 GWh, me rritje prej 33.24 për qind krahasuar me gushtin e vitit paraprak.

Në anën tjetër, prodhimi i thëngjillit gjatë gushtit ishte 477.562 mijë tonë, duke shënuar rënie prej 3.65 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.