Lasgush Poradeci, zëri i papërsëritshëm i lirikës kombëtare
Më 12 nëntor të vitit 1987, ndërroi jetë në Tiranë, Lasgush Poradeci (Llazar Gusho), një nga figurat më të shquara të letërsisë shqiptare të shekullit XX.
Lasgush poradeci ka lënë pas një trashëgimi letrare që vijon të frymëzojë breza lexuesish, studiuesish dhe krijuesish. Ai vlerësohet nga kritika letare si një nga poetët më të mëdhenj të gjuhës shqipe, një zë i papërsëritshëm i lirikës kombëtare dhe një nga personalitetet më të ndritura të kulturës shqiptare.
Llazar Gusho lindi më 27 dhjetor 1899 në Pogradec, në një familje qytetare me tradita dhe kulturë. Vendlindja mbeti burimi më i rëndësishëm i frymëzimit të Lasgushit, aq sa emri letrar që ai zgjodhi, “Poradeci”, e lidhi përjetësisht identitetin e poetit me qytetin e tij.
Pas studimeve në Manastir, Athinë, Bukuresht, Grac dhe Vjenë, ai iu kushtua krijimtarisë letrare, përkthimit dhe veprimtarisë kulturore, duke u shndërruar në një nga zërat më origjinalë të poezisë shqiptare. Krijimtaria e tij shënoi një etapë të re në zhvillimin e lirikës kombëtare, ku ndjeshmëria artistike, përsiatja filozofike dhe përpunimi i lartë estetik i gjuhës u ndërthurën në mënyrë të rrallë.
Lasgush Poradeci konsiderohet një nga themeluesit e poezisë moderne shqiptare. Dy vëllimet e tij poetike, “Vallja e Yjve” (1933) dhe “Ylli i Zemrës” (1937), përbëjnë kulme të letërsisë shqipe dhe mbeten ndër veprat më të studiuara e më të vlerësuara të kulturës sonë kombëtare. Në poezinë e tij natyra, veçanërisht peizazhi i liqenit të Pogradecit, shndërrohet në simbol të botës shpirtërore njerëzore, ndërsa temat e dashurisë, jetës, vdekjes dhe përjetësisë marrin përmasa universale.
Krahas krijimtarisë origjinale, Lasgushi dha një kontribut të çmuar si përkthyes, duke sjellë në gjuhën shqipe vepra të autorëve të mëdhenj të letërsisë botërore. Përkthimet e tij nga gjermanishtja, anglishtja, frëngjishtja, rusishtja dhe rumanishtja dëshmojnë kulturën e gjerë dhe mjeshtërinë e tij gjuhësore.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.