PARIS – Macron kërkon bashkëpunimin e G7 për të frenuar rritjen e çmimeve të karburanteve
PARIS, 2 tetor /ATSH-DPA/- Franca po kërkon një bashkëpunim më të madh ndërkombëtar për të përballuar rritjen e çmimeve të karburanteve në botë.
Presidenti francez, Emmanuel Macron zhvilloi sot një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump, gjatë së cilës diskutoi nevojën për bashkëpunim mes vendeve, për të frenuar rritjen e çmimeve të karburanteve, njoftoi Pallati Élysée, selia e presidencës franceze.
Sipas deklaratës, Macron theksoi se vendet e G7-ës kanë interes të përbashkët për të ndërmarrë masa të koordinuara, duke shmangur kufizimet ndaj eksporteve.
Trump deklaroi më herët se po shqyrtonte mundësinë e ndalimit të eksporteve të naftës, një masë që do të prekte edhe vendet evropiane.
Qëllimi i kësaj mase do të ishte rritja e sasisë së karburantit në tregun amerikan dhe ulja e çmimeve në SHBA.
Sipas presidencës franceze, po zhvillohen gjithashtu bisedime mes vendeve evropiane dhe me Kanadanë për këtë çështje.
G7-ta është grupi që përfshin disa nga vendet më të mëdha të industrializuara të botës.
Në të bëjnë pjesë Franca, SHBA-ja, Gjermania, Italia, Japonia, Kanadaja dhe Mbretëria e Bashkuar. Këtë vit, Franca mban presidencën e G7-ës.
Sipas Élysée, Franca po bashkëpunon gjithashtu me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë, për të trajtuar rritjen e çmimeve të karburanteve.
Në deklaratë thuhet se udhëheqësit e vendeve të G7-ës, do të zhvillojnë një videokonferencë sa më shpejt të jetë e mundur, me qëllim që të diskutojnë dhe të koordinojnë masat për të frenuar rritjen e çmimeve të karburanteve. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.