Parlamenti grek heq imunitetin e ish-komisionerit evropian Avramopoulos për “Qatargate”
Vendimi i parlamentit i hap rrugën autoriteteve belge që po hetojnë ish-komisionerin për migracionin në kuadër të skandalit të korrupsionit që tronditi Brukselin në 2022. Avramopoulos mohon çdo akuzë dhe thotë se do të paraqitet vullnetarisht.
Parlamenti i Greqisë hoqi të enjten imunitetin e ish-komisionerit evropian Dimitris Avramopoulos, duke i hapur rrugën autoriteteve belge që po hetojnë skandalin e korrupsionit “Qatargate”, një nga skandalet më të mëdha që ka goditur Bashkimin Evropian.
Avramopoulos, 73 vjeç, ish-kryetar i bashkisë së Athinës dhe aktualisht deputet i partisë në pushtet Demokracia e Re, mohon çdo akuzë dhe çdo lidhje me çështjen. Sipas një dokumenti qeveritar të parë nga Reuters, një gjyqtar hetues belg lëshoi në qershor një urdhër arresti evropian ndaj tij, me akuzat: pjesëmarrje në grup kriminal, korrupsion publik dhe pastrim parash.
Avramopoulos shërbeu si komisioner i BE-së për Migracionin në vitet 2014–2019; në periudhën 2020–2021 ai punoi si anëtar nderi i bordit të OJQ-së “Fight Impunity”, e lidhur me çështjen. Mediat greke citojnë Avramopoulosin se planifikon të paraqitet vullnetarisht para autoriteteve belge. Zyra e prokurorit belg nuk komentoi.
Autoritetet belge thonë se kanë sekuestruar rreth 1.5 milionë euro në para cash në kuadër të gjithë çështjes Qatargate, e cila doli në dritë në vitin 2022. Hetuesit pretendojnë se Katari ka paguar para ose përmes organizatave jofitimprurëse për të ndikuar vendimmarrjen e BE-së — akuza që Doha i mohon vazhdimisht.
Burimi: Reuters



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.