Rajoni

Parlamenti grek miraton paketën e masave dhe reformave të ashpra

Pas një seance tepër të gjatë dhe me debate të tensionuara Parlamenti grek ka miratuar me 154 vota pro të deputetëve të koalicionit qeveritar, nga 290 ligjvënës të pranishëm, një projektligj me masa të ashpra finmanciare.

Aprovimi i tyre ishte kusht për mbërritjen në fund të tetorit të inspektorëve të kreditorëve të Athinës, të cilët do të vlerësojnë përparimin e reformave në mënyrë që të aprovojnë këstin e parë të paketës së tretë të ndihmës, prej 86 miliardë euro për Greqinë.

Megjithëse tre prej partive opozitare Demokracia e re, Pasok dhe Lumi kanë mbështetur marrëveshjen e shpëtimit disa javë më parë ato kanë hedhur poshtë projektligjin duke votuar “po” vetëm në disa nene të caktuara.

“Nuk po marrim masa të reja,por masa të vështira për të cilat të gjithë ishim në dijeni. E dinit, e dinim, të gjithë ishin në dijeni prej gushtit të kaluar. Dhe e dinit shumë mirë ju kolegë të Demokracisë së Re ,të Pasok-ut dhe të Lumit kur i aprovuat ato në 13 gusht. Kjo është e vërteta”, tha Aleksis Tsipras, kryeministri i Greqisë.

“Çdo gjë që është e mirë për të mirën e vendit do ta mbështesim , por çdo gjë që ka të bëjë me taksa, me reduktime dhe që sjell recesion, ne do ta kundërshtojmë”, ka thënë Vangelis Meimarakis, lideri i Demokracia e Re.

Projektligji përfshin vetëm grupin e parë të reformave që duhet të marrë Greqia, midis tyre rritja e moshës për pension deri në 67 vjeç, reduktimi me 10% i pensioneve mbi 1000 euro apo i atyre që e kanë përfituar pasi kanë dalë para kohe, dënime për evazorët dhe liberalizimi i tregut të energjisë. Kryeministri Tsipras dhe qeveria e tij kërkojnë të sigurojnë sa me shpejt ndihmën financiare në mënyrë që të rikapitalizojnë bankat dhe të fillojnë negociatat për reduktimin e borxhit të vendit.

Reforma e re e pensioneve vjen pas disa përpjekjeve të dështuara të qeverive të mëparshme të vendit prej vitit 2010 për të rimëkëmbur sistemin e sigurimeve sociale që është në prag të shkatërrimit të plotë. Para votimit jashtë parlamentit qindra grekë, kryesisht përkrahës të Partisë Komuniste, kanë protestuar kundër masave të ashpra që po merr qeveria.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button