“Parlamenti organizatë kriminale”- Berisha akuzon PS për Territorialen, paralajmëron edhe dërgimin në Kushtetuese: Po m
Sali Berisha, kreu i Partisë Demokratike, ka deklaruar sot para gazetarëve se kanë nisur mbledhjen e firmave për referendum për Hartën e re Territoriale, e cila, sipas Berishës, u miratua mbrëmë në një parlament që ai e quan “organizatë kriminale”.
“Ne kemi nisur mbledhjen e firmave për referendum. Do të studiojmë modalitetet e referendumeve lokale dhe kombëtare, për të mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë nga një bandë, organizatë kriminale që quhet parlament”, tha Berisha.
Sali Berisha ka akuzuar deputetët e mazhorancës se, me votimin e tyre pas mesnatës, kanë cenuar interesat e qytetarëve të 15 bashkive të vendit. Në reagimin e tij, kreu i PD-së e cilësoi votimin si një akt kundër qytetarëve, duke pretenduar se deputetët kanë vepruar nën ndikimin e korrupsionit dhe interesave personale.
Berisha e konsideroi reformën territoriale si një nga reformat më të rëndësishme për qytetarët dhe komunitetet, pasi lidhet drejtpërdrejt me qeverisjen vendore, zhvillimin e territorit, ruajtjen e trashëgimisë kulturore e historike dhe mbrojtjen e identitetit të komuniteteve. Ai theksoi se njësitë e qeverisjes vendore kanë rol kyç në zhvillimin ekonomik dhe investimet në zonat ku jetojnë qytetarët.
“Mbrëmë pas mesnate, në një akt flagrant antikombëtar, antiqytetar, krimi, pengmarrja dhe ryshfeti, mandatet e krimit u hodhën si shigjeta kundër qytetarëve të 15 bashkive të vendit, për asgjësimin e tyre. Deputetët e partisë së krimit në unison, shkelmuan interesat e zgjedhësve të tyre.
Të marrë peng me korrupsionin e tyre, me vjedhjet dhe plaçkën që kanë siguruar me mandatin e tyre, ata votuan në një krim kolektiv për asgjesimin e 15 bashkive. Reforma territoriale është pa dyshim, në raport me qytetarin dhe komunitetet, reforma më e rëndësishme sepse kjo reformë ka të bëjë me vetë qeverisjen e komuniteteve.”, tha ai ndër të tjera.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.