Partia Socialiste feston 35-vjetorin, nderon me medalje ari figurat historike të themelimit
Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë u zhvillua ceremonia e 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste, ku u nderuan me medalje ari figura të shquara të ditëve të para të PS-së për kontributin e tyre në ngritjen dhe konsolidimin e forcës politike.
Në kuadër të festimeve për 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, ish-kryetari i parë i grupit parlamentar të PS, Namik Dokle, u vlerësua me medalje nga ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, për kontributin e tij në fillimet e partisë.
Gjatë fjalës së tij, Dokle ndau reflektime mbi rrugëtimin politik të PS-së dhe mirënjohjen për socialistët ndër vite. Ai kujtoi momentin e themelimit të partisë, duke e cilësuar si një mision të qartë dhe një ëndërr të madhe:
“35 vite më parë në këtë sallë u themelua PS me një mision të qartë dhe me një ëndërr të madhe. Ne që filluam politikën në atë kohë nuk kishim shkollë politike, por kishim idealizëm. Kam patur nderin të drejtoj grupin e parë të PS, një grup të jashtëzakonshëm, ku kisha 9 profesorë nga të gjitha degët.”
Dokle theksoi se idealet mbeten, idetë ndryshojnë e transformohen, por thelbi i Partisë Socialiste është i pandryshueshëm: progresi dhe solidariteti. Ai e cilësoi këtë si ADN-në e PS-së, e cila ka mbetur e qëndrueshme ndër vite.
Duke folur për medaljen e marrë, Dokle u shpreh me humor, “Këtë medaljen e pashë dhe thashë sa e bukur. Blendi Klosi ma tregoi dhe i thashë nuk kishte si mos të ishte e bukur, sepse ai që ka dizenjuar këtë medalje, ka dizenjuar edhe Shqipërinë, Edi Rama.”
Dokle nënvizoi se sot, kur pyesim çfarë është Partia Socialiste, përgjigjja mbetet e njëjtë: një parti e progresit dhe solidaritetit, e cila ka ruajtur thelbin e saj që nga dita e parë e themelimit.
Me medalje të artë u vlerësuan:
Rexhep Meidani, ish-president i Republikës, për maturinë akademike dhe besimin tek institucionet.
Ethem Ruka, ish-deputet dhe ish-ministër, për rolin e tij në themelimin e PS.
Namik Dokle, kryetari i parë i grupit parlamentar të PS, për idealizmin dhe drejtimin e grupit të parë parlamentar.
Ylli Bufi, ish-kryeministër, për stabilizimin institucional dhe reformat e para ekonomike.
Valentina Leskaj, ish-deputete dhe ish-kryetare e grupit parlamentar, për modelin dinjitoz të gruas në politikë.
Besnik Baraj, ish-deputet dhe drejtues i PS në Tiranë, për kontributin në organizimin politik.
Hamdi Jupe, themelues i PS dhe ish-deputet, për rolin e tij në median e tranzicionit.
Anastas Anxheli, akademik dhe ish-deputet, për kontributin në ekonominë shqiptare.
Maqo Lakrori, themelues i PS dhe deputet për tre legjislatura, për kontributin në arsimin e lartë.
Halil Lalaj, kryetar i parë i PS në Tiranë, për organizimin politik dhe përfaqësimin e vlerave të PS.
Musa Ulqini, themelues dhe deputet për shtatë legjislatura, për kontributin në opozitën e re dhe modernizimin e PS.
Luan Shaullari, themelues i PS dhe ish-drejtues në Tiranë, për forcimin e administratës publike.
Sajmira Pino, ish-deputete, për organizimin e grave socialiste dhe rritjen e rolit të tyre në politikë.
Ceremonia u shënua si një moment reflektimi dhe mirënjohjeje për figurat themeluese, duke nderuar kontributin e tyre në ngritjen e forcës politike që sot udhëheq vendin drejt integrimit europian.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.