FOKUS – BE sekuestron sasi rekord mallrash të falsifikuara me vlerë 6,3 miliardë euro
MADRID, 22 tetor /ATSH-DPA/- Autoritetet në Bashkimin Evropian sekuestruan më shumë se 196 milionë produkte të falsifikuara gjatë vitit 2025, numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë.
Sipas raportit vjetor të publikuar sot nga Zyra e Bashkimit Evropian për Pronësinë Intelektuale (EUIPO), numri i produkteve të sekuestruara si brenda tregut të përbashkët evropian, ashtu edhe në kufijtë e jashtëm të BE-së, u rrit me rreth 67% krahasuar me vitin 2024.
Vlera e përllogaritur e këtyre mallrave, sipas çmimeve me pakicë, arriti në mbi 6,3 miliardë euro, duke shënuar një rekord të ri.
Në vitin 2024, kur u regjistrua rekordi i mëparshëm, vlera e mallrave të sekuestruara ishte më pak se 3,9 miliardë euro.
Ndër produktet e falsifikuara të sekuestruara më shpesh ishin CD-të dhe DVD-të, programet kompjuterike, lodrat, si dhe etiketat dhe ngjitëset. Në listë renditeshin gjithashtu cigaret dhe veshjet.
Sipas raportit, Kina ishte vendi i origjinës i më shumë se 40% të mallrave të sekuestruara, ndërsa Turqia renditej e dyta, me 18%.
Raporti thekson se rritja e sekuestrimeve, mund të tregojë se grupet kriminale po shtojnë aktivitetin e tyre në prodhimin dhe tregtimin e mallrave të falsifikuara.
Megjithatë, kjo rritje mund të jetë edhe rezultat i kontrolleve më të shpeshta dhe më të suksesshme nga autoritetet.
EUIPO vëren se lufta kundër falsifikimit vazhdon të jetë e vështirë, për shkak të rrugëve të shumta të transportit dhe kapaciteteve të kufizuara të autoriteteve, për të zbuluar dhe ndaluar këto produkte.
Një sfidë tjetër është rritja e tregtisë online, pasi mallrat e falsifikuara dërgohen shpesh përmes shërbimeve postare dhe kompanive të transportit të shpejtë.
Për të luftuar këtë fenomen, raporti thekson nevojën për masa të reja, bashkëpunim më të ngushtë mes autoriteteve dhe përdorimin e teknologjive moderne.
Këto hapa konsiderohen të rëndësishëm për të mbrojtur pronësinë intelektuale dhe për të ruajtur fuqinë ekonomike të Evropës. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.