Pas shkarkimit të Veliajt, Rama mbledh të shtunën socialistët e Tiranës, nisin përgatitjet për zgjedhjet e 9 majit
Një javë pas Asamblesë Kombëtare në Gjirin e Lalzit, kryeministri Edi Rama do të mbledhë të shtunën socialistët e Tiranës. Në fokus do të jenë përgatitjet për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, me Bashkinë e Tiranës si betejën kryesore elektorale.
Një javë pas Asamblesë Kombëtare në Gjirin e Lalzit, kryeministri Edi Rama do t’i mbledhë sërish socialistët, këtë herë në Tiranë. Mbledhja e së shtunës do të ketë në fokus përgatitjet për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, me Bashkinë e Tiranës si betejën kryesore elektorale, siç njofton Shqiptarja.com.
Vendimi për mbledhjen u mor nga Rama pas përfundimit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, ku u zgjodhën drejtuesit e rinj të qarqeve. Ogerta Manastirliu u zgjodh në Asamble si drejtuese politike e qarkut të Tiranës.
Qëllimi i mbledhjes është riorganizimi dhe mobilizimi i strukturave të partisë në kryeqytet, ku jeton mbi një e treta e popullsisë së vendit. Deputetët e mbetur të Tiranës do të përballen me një provë në këto zgjedhje vendore.
Pas shkarkimit të Erion Veliajt, objektivi i Ramës është të rifitojë Tiranën, e cila për të ka vlerë simbolike dhe është bashkia më e madhe dhe më e rëndësishme e vendit. Veliaj u shkarkua nga Këshilli Bashkiak ndërsa ndodhej në burg; ai ishte zgjedhur kryetar bashkie për herë të tretë më 14 maj 2023 dhe u arrestua më 10 shkurt me urdhër të SPAK-ut, nën akuza për korrupsion.
Në vend të tij u caktua fillimisht Anuela Ristani si kryetare në detyrë, ndërsa më pas drejtimin e Bashkisë së Tiranës e mori Ogerta Manastirliu, e cila me vendim të Këshillit Bashkiak u zgjodh kryetare e Bashkisë. Ndërkohë, që nga zgjedhjet e 11 majit, socialistët e Tiranës nuk kanë më pesë deputetë: Erion Veliajn, Olta Xhaçkën, Fatmir Xhafajn, Blerina Gjylametin dhe Arben Pëllumbin, të cilët i kanë lënë mandatet e deputetit ose nuk janë rizgjedhur.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.