Përmirësohet situata në qarkun e Shkodrës pas reshjeve intensive, aksi Theth–Ndërlysaj ende me kufizime
Situata në qarkun e Shkodrës paraqitet e qetë dhe në përmirësim, pas problematikave të shkaktuara nga reshjet intensive të ditëve të fundit. Sipas raportimit të Prefekturës, në disa zona vijojnë ndërhyrjet për riparimin e rrugëve dhe rikthimin e plotë të qarkullimit.
Në Bashkinë Shkodër, aksi rrugor Theth–Ndërlysaj është aktualisht i kalueshëm për automjetet 4×4 dhe mjetet e rënda. Ndërkohë, vijojnë punimet për pastrimin e inerteve dhe normalizimin e plotë të qarkullimit.
Problematika mbetet edhe në fshatin Kamicë, në njësinë administrative Qendër të Malësisë së Madhe, ku prurjet e Përroit të Thatë kanë rënë. Strukturat bashkiake pritet të vijojnë ndërhyrjet për riparimin e rrugës dhe rikthimin e aksesit në segmentin që lidh zonën me fshatin.
Ndërkohë, në bashkitë Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë-Arrëz nuk raportohen problematika nga strukturat e Mbrojtjes Civile.
Edhe sa i përket funksionimit të veprave kulluese dhe hidrovorëve, situata paraqitet normale. Nga monitorimi i Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Lezhë nuk janë konstatuar probleme.
Prefektura e Qarkut Shkodër, në bashkëpunim me bashkitë dhe strukturat përgjegjëse, vijon monitorimin e situatës dhe koordinimin e ndërhyrjeve në zonat e prekura nga reshjet.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.