Përtej negociatave: Kush ua shpjegon shqiptarëve procesin e anëtarësimit në BE?
Nga Gledis Gjipali
“Qytetarët duhet të ndiejnë se kanë një interes të drejtpërdrejtë në këtë projekt”, deklaroi komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, më 17 prill 2025, në forumin “EU Meets the Balkans”. Duke folur për integrimin evropian të rajonit, ajo vuri në dukje një mangësi të procesit: përfitimet e anëtarësimit shpesh u janë dukur qytetarëve tepër të largëta. Për Shqipërinë, kjo ngre një pyetje që shkon përtej ecurisë së negociatave: sa e kuptojnë qytetarët se çfarë ndryshon integrimi në jetën e tyre? Për një fermer, një sipërmarrës apo një student, përgjigjja kërkon shpjegime konkrete mbi standardet që duhen përmbushur, kostot e përshtatjes dhe mundësitë që hapen. Kush ua jep këto shpjegime shqiptarëve dhe sa i arritshëm është informacioni për ata që duhet të përgatiten për ndryshimet?
Qytetarëve, prej shumë vitesh tashmë, u ofrohet vetëm informacion mbi aspektet teknike dhe politike të procesit. Vetë arkitektura institucionale e BE-së është e komplikuar dhe e vështirë për t’u shpjeguar, gjë që sjell zbehjen e interesit të publikut të gjerë. Ky aspekt është parë si avantazh nga politika, duke e izoluar procesin në etapa, data apo takime të nivelit të lartë dhe duke u shkëputur njëkohësisht nga përgjegjësia e saj për të prodhuar rezultate e përfitime konkrete për shoqërinë. Po ashtu, përdorimi i tij për politikën e brendshme të ditës është i zakonshëm, duke filluar nga miratimi i ligjeve “që kërkon Brukseli” e deri te marrja si shembull e modeleve të ndryshme në vende europiane për të justifikuar një zhvillim specifik. Ajo që ‘harrohet’ gjithmonë të shpjegohet është se si preken qytetarët në jetën e tyre të përditshme nga ky proces. Kjo harresë vjen në radhë të parë nga vetë mënyra se si hartohen politikat publike në Shqipëri: me shumë pak analizë, llogaritje apo përfshirje të gjerë të aktorëve të interesit dhe me shumë slogane, retorikë politike dhe kujdesje ndaj imazhit të përçuar. Në një proces kaq transformativ sa ç’është procesi i integrimit, që prek pothuajse çdo fushë të jetës dhe nën presionin e vazhdueshëm të kohës për të arritur afatet e shumta të vendosura, kjo mënyrë politikëbërjeje i shfaq më dukshëm problematikat e saj. Për fat të mirë a të keq, pasojat ndihen sa më shumë i afrohesh anëtarësimit e kryesisht mbas tij, siç na tregojnë dhe shembuj nga zgjerimet e fundit në BE (Kroacia apo dhe Rumania e Bullgaria), ku mbështetja e qytetarëve ndaj BE-së ra dukshëm në vitet mbas anëtarësimit.
Këtë deficit në informacion të krijuar nga politika do të duhej ta zbusnin institucionet, të cilat janë përgjegjëse për ndërmarrjen e zbatimin e reformave gjithëpërfshirëse që vijnë nga anëtarësimi në BE. Të ndikuara nga politika, institucionet japin shumë pak informacion. Me pak përjashtime pozitive, si p.sh. Banka e Shqipërisë për hyrjen në SEPA apo Ministria e Bujqësisë për fondet europiane, institucionet mjaftohen me komunikimin e aspekteve burokratike të procesit, si numri i takimeve të realizuara, konferencave të mbajtura, ligjeve e strategjive të miratuara etj. Modelet europiane të transparencës së institucioneve kërkojnë që procesi të ketë komunikim, ku informacioni dhe diskutimet janë me dy kahe, e jo informim me një drejtim, i cili është një proces tashmë i tejkaluar dhe nga zhvillimet e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.
Komunikimi është shumë i rëndësishëm sidomos për një pjesë të grupeve të interesit që preken drejtpërdrejt nga zhvillimet e procesit dhe do të duhet të përballojnë kostot e tij në periudhën afatshkurtër. Bizneset e vogla e të mesme, profesionistët e lirë, fermerët etj. janë ata që e prekin të parët ndikimin e procesit dhe do të duhet të përballojnë kosto të përshtatjes me legjislacionin, standardet e metodat europiane në punën e tyre të përditshme. Këto grupe duhet të jenë në qendër të procesit, duke nisur nga informimi, komunikimi dhe pjesëmarrja në vendimet e rëndësishme përgjatë reformave. Informimi u mundëson grupeve të interesit të kuptojnë ndryshimet; përfshirja u jep mundësinë të ndikojnë te mënyra dhe afatet e zbatimit të tyre. Aftësia me të cilën këto grupe të shoqërisë do t’u përshtaten nevojave të dala dhe do t’i kthejnë në avantazhe është çelësi i matjes së suksesit të procesit dhe jo data e anëtarësimit. Mangësia e institucioneve në kuptimin e rëndësisë së përfshirjes së tyre do të duhet të adresohet dhe nëpërmjet vetorganizimit dhe fuqizimit në shoqata e grupime profesionale dhe sektoriale. Struktura e komplikuar e vendimmarrjes në BE e bën të domosdoshëm rolin e tyre për të mbrojtur më mirë interesat dhe për t’u zhvilluar në një treg të pamatë europian. Integrimi i tyre në organizma mbarëeuropianë me influencë në vendimmarrje është tashmë jo vetëm vlerë e shtuar, por domosdoshmëri për të shrytëzuar në të ardhmen gjithë potencialin e tregut europian.
Nëse politika e orienton informacionin në drejtimin që i intereson e institucionet nuk komunikojnë si duhet me grupet e interesit, a mundet media ta kapërcejë apo të paktën ta zbusë këtë hendek? Në këtë panoramë që s’lë shumë vend për optimizëm, edhe media nuk ngelet pa u prekur nga këto fenomene negative. Mbipolitizimi i informacionit ndikon në qasjen e medias ndaj procesit, e cila shoqërohet edhe me njohuri të pakta mbi të. Mungesa e profilizimit të gazetarëve, një plagë e hershme e pakuruar e gazetarisë shqiptare, shfaqet me informacionin e njëllojtë në mbulimin e procesit dhe me analiza të thata të mbizotëruara nga zhvillimet gjeopolitike. Dallim bëjnë disa media me profil ekonomik si revista Monitor apo Scan TV, të cilat, për shkak se janë më afër biznesit, prekin në mënyrë analitike dhe trajtojnë shqetësime konkrete që vijnë apo do të vijnë nga procesi.
Përtej kronikave të ditës e studiove të debateve në televizion, ka hapësira të bollshme të cilave media mund t’u kushtojë vëmendje pa humbur interesin e publikut. Gazetaria investigative mund të luajë një rol të rëndësishëm në verifikimin se si zbatohen në praktikë standardet evropiane të përfshira tashmë në legjislacion. Miratimi i një ligji është vetëm pika e nisjes së këtij verifikimi. A kanë institucionet personelin, pajisjet, buxhetin dhe, mbi të gjitha, vullnetin për ta zbatuar? Përgjigjet kërkojnë shqyrtim dokumentesh, të dhënash dhe dëshmish nga terreni, të cilat e aktualizojnë procesin për qytetarët, por dhe ndihmojnë në krijimin e një ndërgjegjësimi më të gjerë kur institucionet nuk mbrojnë si duhet interesin publik. Një nga përparësitë e procesit është se grupet e ndryshme të interesit mund të gjejnë aleatë tek institucionet apo organizmat evropianë kur pushteti qendror apo vendor nuk u përgjigjet problematikave e ndjeshmërive të tyre, dhe këtu roli i gazetarisë është kyç në përcjelljen e informacionit e analizave të pandikuara nga interesat e palëve.
Disa fusha të procesit janë më të rëndësishme se të tjerat, si për shkak të vështirësive për të arritur standardet evropiane, ashtu dhe për faktin që prekin më drejtpërdrejt e më shpejt qytetarët.
Siguria ushqimore dhe mjedisi janë dy prej këtyre fushave ku raportimi dhe mbulimi nga gazetarët mund ta bëjnë integrimin të prekshëm për publikun. Një histori që ndjek rrugën e një produkti nga ferma te konsumatori mund të tregojë çfarë kontrollohet, ku shfaqen mangësitë dhe çfarë i duhet prodhuesit për t’i korrigjuar ato. Po kështu, ndjekja e shkarkimeve të një biznesi në një lumë mund të lidhë detyrimet mjedisore me cilësinë e ujit dhe jetën e komunitetit. Sigurisht, artikuj të tillë nuk mungojnë, por janë aq të rrallë sa duken si çështje aq të largëta për qytetarët e pjesë e një të ardhmeje që ende është larg. Ky është një perceptim që duhet ndryshuar, sepse do të mundësojë jo vetëm kuptimin e mirë të procesit, por dhe rritjen e presionit e llogaridhënies ndaj institucioneve e vendimmarrësve.
Vëmendja e medias duhet të ndjekë edhe shpërndarjen e kostove dhe përfitimeve të procesit. Një investim i përballueshëm për një kompani të madhe mund të jetë pengesë serioze për një prodhues të vogël. Mbështetja publike, trajnimi dhe koha e përshtatjes bëhen kështu pjesë e historisë. Përvojat e vendeve që kanë kaluar të njëjtin proces mund të ndihmojnë, nëse shqyrtohen bashkë me kushtet që i bënë të funksionojnë: kush u financua, çfarë ndihme mori dhe çfarë rezultatesh u arritën. Një model i huaj ka vlerë kur ndihmon të kuptohet çfarë mund të zbatohet në Shqipëri dhe çfarë duhet përshtatur.
Media mund të ndihmojë gjithashtu që qytetarët dhe grupet e interesit të marrin pjesë në vendimet që i prekin. Për këtë, informacioni duhet të mbërrijë përpara se vendimet të jenë marrë: kur hapet një konsultim, çfarë propozohet, kush preket dhe si mund të paraqiten mendimet. Gazetarët mund t’u japin hapësirë shqetësimeve të fermerëve, profesionistëve dhe komuniteteve lokale, si dhe të ndjekin përgjigjet e institucioneve ndaj tyre. Roli i medias është të rrisë mundësitë për një pjesëmarrje të informuar dhe të kërkojë llogari nëse kjo pjesëmarrje ka ndikuar në vendimmarrje.
Si çdo proces intensiv, edhe anëtarësimi i Shqipërisë në BE do të lërë disa kategori të shoqërisë jashtë rrjedhës kryesore të informacionit e përfshirjes. Ngjashmërisht me vende të tjera të rajonit, banorët e zonave rurale apo periferive urbane, të moshuarit, nëpunësit e administratës në qytete të vogla e të largëta do të kenë më pak informacion e vëmendje. Kjo sjell një detyrim, në radhë të parë, për institucionet, por dhe për të gjithë ne, për ta zvogëluar sa më shumë rrezikun e përjashtimit të këtyre grupeve. Është e pashmangshme dhe që përfitimi nga anëtarësimi në BE nuk do të jetë i njëjtë për të gjithë, e do të ketë dhe humbës, të paktën në periudhën afatshkurtër. Nuk duhet të krijohen pritshmëri të rreme se çdo gjë do të rregullohet e do të zgjidhet me anëtarësimin e vendit. Problemet e ndryshme që shoqëria jonë ka do të vazhdojnë dhe brenda Bashkimit Evropian. Qytetarët shqiptarë duhet të jenë realistë për atë që sjell procesi dhe kjo arrihet duke pasur informacion dhe një diskutim të sinqertë mbi kapacitetet tona, pikat e forta e të dobëta, mundësitë e ofruara. Shqipëria duhet të ketë disa sektorë prioritarë që do të mbështesë për të përfituar maksimalisht nga procesi dhe mbi atë ta bazojë suksesin për të gjithë shoqërinë. Një qasje “prit e shiko se çfarë të mirë do të sjellë anëtarësimi” nuk vlen për BE-në, e cila është ndërtuar mbi bazën e konkurrencës dhe vlerësimit të aftësive. Një qasje e tillë rrezikon të na sjellë brenda Bashkimit Evropian si vend e qytetarë të dorës së dytë.
Gjithnjë e më shumë në vendet e vjetra anëtare të BE-së ka debat të brendshëm mbi arritjet e integrimit evropian dhe se si jo çdo vend që anëtarësohet do të duhet të përfitojë automatikisht nga arritjet e të mirat e përbashkëta që ka sjellë ky proces në dekada. Në një klimë botërore gjithnjë e më shumë sovraniste e transaksionale, këto diskutime pritet të marrin gjithnjë e më shumë vëmendje e, rrjedhimisht, do të ndikojnë në formën e Bashkimit Evropian të së nesërmes, pjesë e të cilit do të jemi edhe ne. Nevojitet që Shqipëria të ketë një apo disa përgjigje ndaj pyetjes së vështirë: çfarë i sjell Shqipëria Bashkimit Evropian duke u bërë anëtare? Argumentimi i qartë përtej sloganeve kërkon në radhë të parë që vetë ne të jemi të qartë mbi përfitimet që presim dhe si do t’i maksimizojmë ato e më pas të parashikojmë dhe kontributin që do t’i ofrojmë familjes së ardhme të përbashkët. I gjithë ky proces ka nevojë për një diskutim të gjerë kombëtar, që mund të ndërtohet vetëm mbi shtylla të forta të transparencës, komunikimit dhe përfshirjes së gjithë shtresave të shoqërisë. Sa më i kuptueshëm dhe i hapur të jetë procesi, aq më shumë mundësi do të kenë qytetarët ta ndikojnë atë dhe të përgatiten për një anëtarësim të suksesshëm.
Ky artikull botohet në kuadrin e një serie artikujsh me temë “Media dhe Integrimi evropian” të Institutit Shqiptar të Medias.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.