Pesë minuta para mesnatës – marrëveshja që shmangu zgjedhjet dhe solli gruan e tretë në krye të Kosovës
Kosova kaloi njërën nga sfidat më të rëndësishme të krizës politike të viteve të fundit. Vendi ishte afër një situate të paqartë, me tensione të brendshme, pasiguri për të ardhmen politike dhe, mbi të gjitha, me një gjuhë polarizuese dhe të rrezikshme, në rast se vendi do të shkonte në zgjedhje të reja.
Pasojat politike
Marrëveshja në momentet e fundit ndërmjet Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, në njërën anë, dhe Bedri Hamzës e Partisë Demokratike të Kosovës, në anën tjetër, për të votuar fillimisht Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe më pas zgjedhjen e Presidentes, ishte ndër vendimet më të rëndësishme të viteve të fundit.
Shkuarja në zgjedhje pa miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, me protesta dhe tensione para Kuvendit e Qeverisë, si dhe me paqartësi rreth asaj se kush do ta ushtronte detyrën e presidentit të Kosovës, mund ta mbante vendin në tension edhe më të madh, me pasoja politike, ekonomike dhe për imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Mbi të gjitha, një situatë e tillë do të sillte edhe zhgënjim të madh te qytetarët, duke krijuar përshtypjen se klasa politike është e papërgjegjshme dhe e paaftë për kompromis.
Një tjetër element i rëndësishëm ishte mënyra se si gjithçka ndodhi me nguti, në pesë minutat e fundit para mesnatës. Kjo të kujton mënyrën se si u miratuan me shpejtësi ligjet e Pakos së Ahtisaarit, në fillim të vitit 2008, para shpalljes së pavarësisë.
Pasojat ekonomike
Nëse vendi do të shkonte sërish në zgjedhje, në rrezik do të viheshin edhe fondet e rëndësishme nga Plani i Rritjes. Plot 131.4 milionë euro, të lidhura me 22 hapa të këtij plani, kanë afat përfundimtar 31 dhjetorin e këtij viti. Pa një Kuvend funksional dhe pa një Qeveri me kapacitet të plotë, Kosova rrezikonte të humbiste afro 90 milionë euro.
Për këtë arsye, moszgjedhja e presidentit mund ta vinte në rrezik zbatimin e një pjese të madhe të reformave që lidhen me Planin e Rritjes.
Vendi do të përballej edhe me mungesë të projekteve madhore, rrezikim të buxhetit dhe vonesa në projekte të mëdha që nuk do të mund të zbatoheshin. Po ashtu, në një periudhë me tensione, trazira dhe pasiguri politike, do të ishte vështirë të pritej ndonjë investim i madh.
Në anën tjetër, e rëndësishme ishte edhe fakti që partitë politike, në këtë rast LVV-ja dhe PDK-ja, arritën marrëveshje pa ndonjë këshillë apo ndërhyrje ndërkombëtare. Kjo tregon se Kosova mundet, por duhet të jetë më e qartë dhe më e përgjegjshme në vendimmarrjen politike.
Presidentja e re e Kosovës
Justina Pula Shiroka, mbi të gjitha, vjen nga fusha akademike e Kosovës dhe është gruaja e tretë në krye të shtetit, pas Atifete Jahjagës dhe Vjosa Osmanit.
Presidentët e tjerë të Kosovës, para dhe pas pavarësisë, kanë qenë presidenti historik Ibrahim Rugova, më pas Fatmir Sejdiu, për një periudhë të shkurtër Behgjet Pacolli, pastaj Atifete Jahjaga, Hashim Thaçi dhe së fundi Vjosa Osmani.
Tani, Pula Shiroka, e cila vjen edhe nga fusha akademike, pritet ta ruajë ekuilibrin institucional, për të cilin në Kosovë është diskutuar shumë kohëve të fundit, si dhe të merret me tema të rëndësishme, përfshirë mbrojtjen e UÇK-së në fazën e apelit në Dhomat e Specializuara.
Ndryshe, Shiroka-Pula është ekonomiste, ndërsa së fundmi ishte kryetare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK).
Ajo ka lindur në vitin 1953 në Prishtinë. Shkollën fillore dhe të mesme i ka përfunduar në Prishtinë, ndërsa në vitin 1976 ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.
Profesoresha shumëvjeçare e Menaxhmentit është anëtare e ASHAK-ut që nga viti 2016.
Akademike Shiroka-Pula ka qenë pjesë e stafit akademik të Fakultetit Ekonomik që nga viti 1979. Në këtë fakultet ajo ka përfunduar studimet themelore dhe ato të doktoraturës, ndërsa studimet pasuniversitare i ka kryer në Universitetin e Zagrebit.
Gjatë karrierës së saj akademike, ajo ka publikuar dhjetëra punime shkencore, libra dhe kumtesa në fushën e ekonomisë dhe menaxhmentit, thuhet në dokumente publike nga Fakulteti Ekonomik.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, si institucioni më i lartë i dijes në vend, për herë të parë në historinë e saj kishte një grua në krye. Akademikja Justina Shiroka-Pula e pasoi në këtë pozitë akademikun Mehmet Kraja.
Përveç karrierës akademike, ajo ka pasur edhe angazhim në institucionet publike. Gjatë viteve 2008–2011 ka shërbyer si ministre e Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Kosovës.
Në vitet 2011–2014 ka qenë deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e PDK-së./Telegrafi/.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.