☀️
Tiranë 14°C · Kthjellët 06 Tetor 2026
S&P 500 7,826 ▲0.67%
DOW 51,546 ▲0.54%
NASDAQ 27,641 ▲0.59%
NAFTA 89.58 ▲0.17%
ARI 4,195 ▲0.93%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1209 EUR/GBP 0.8483 EUR/CHF 0.9321 EUR/ALL 91.8826 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3716 EUR/TRY 55.1309 EUR/JPY 177.16 EUR/CAD 1.5986 EUR/USD 1.1209 EUR/GBP 0.8483 EUR/CHF 0.9321 EUR/ALL 91.8826 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3716 EUR/TRY 55.1309 EUR/JPY 177.16 EUR/CAD 1.5986
₿ CRYPTO
BTC $85,604 ▼ -0.01% ETH $2,694 ▼ -0.51% XRP $1.5075 ▲ +0.59% SOL $121.0100 ▲ +0.83%
S&P 500 7,826 ▲0.67 % DOW 51,546 ▲0.54 % NASDAQ 27,641 ▲0.59 % NAFTA 89.58 ▲0.17 % ARI 4,195 ▲0.93 % S&P 500 7,826 ▲0.67 % DOW 51,546 ▲0.54 % NASDAQ 27,641 ▲0.59 % NAFTA 89.58 ▲0.17 % ARI 4,195 ▲0.93 %
EUR/USD 1.1209 EUR/GBP 0.8483 EUR/CHF 0.9321 EUR/ALL 91.8826 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3716 EUR/TRY 55.1309 EUR/JPY 177.16 EUR/CAD 1.5986 EUR/USD 1.1209 EUR/GBP 0.8483 EUR/CHF 0.9321 EUR/ALL 91.8826 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3716 EUR/TRY 55.1309 EUR/JPY 177.16 EUR/CAD 1.5986
06 Tet 2026
Breaking
Politika

Plani i ri i Zgjerimit të BE, reagon Kryeministria: Shqipëria konsolidon pozicionin mes vendeve udhëheqëse! Konfirmon reform

Komisioni Europian ka zyrtarizuar sot “Rishikimet e Politikave përpara Zgjerimit”, duke përcaktuar kuadrin e reformave të brendshme institucionale, të qeverisjes dhe të mekanizmave mbrojtës që do të shoqërojnë valën e ardhshme të zgjerimit të Bashkimit Europian.

Kryeministria ka reaguar për këtë zhvillim të rëndësishëm për Shqipërinë duke sqaruar dhe argumentuar se:

“Ky dokument strategjik vjen pas vizitës së fundit të Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në Tiranë dhe konsolidon pozicionin e Shqipërisë si një ndër vendet udhëheqëse në procesin e zgjerimit.

Dokumenti konfirmon se reformat e brendshme të BE-së dhe përparimi i vendeve kandidate do të ecin paralelisht, duke parashikuar përfshirjen e një udhërrëfyesi specifik për anëtarësimin e Shqipërisë në Paketën e Zgjerimit të vitit 2026.

Rishikimi gjithëpërfshirës thekson se politikat ekzistuese të Bashkimit Europian nuk kërkojnë një rikonceptim të plotë strukturor për të përfshirë anëtarët e rinj.

BE-ja po zbaton parimin e “Integrimit përmes Projektimit”, duke përfshirë skenarët e zgjerimit që në fazën e hartimit të politikave të ardhshme dhe të Kuadrit Financiar Shumëvjeçar (MFF) 2028–2034.

Kjo qasje synon të ruajë aftësinë e Unionit për të vepruar dhe të forcojë rolin e zgjerimit në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit europian.

Në fokus të dokumentit janë tre elemente kryesore reformuese:

Së pari, rishikimi i mekanizmit të Nenit 7 për shkeljet shumë të rënda të shtetit të së drejtës. Në vend të pragut aktual prej katër të pestave të anëtarëve për pezullimin e së drejtës së votës në Këshill, Komisioni Europian propozon zbatimin e një “shumice të cilësuar të kundërt” (Reverse QMV). Sipas këtij mekanizmi, vendimi i Komisionit për vendosjen e sanksioneve do të hynte në fuqi automatikisht, përveç rasteve kur shtetet anëtare formojnë shumicën e nevojshme për ta rrëzuar. Synimi është që mbrojtja e vlerave europiane të bëhet më efikase dhe mekanizmi më i lehtë për t’u zbatuar.

Së dyti, vendosja e garancive të rrepta financiare. Dokumenti propozon ngrirjen ose kufizimin e fondeve të reja të Unionit në rastet kur një vend anëtar apo kandidat shkel angazhimet e ndërmarra ose nuk respekton parimet e shtetit të së drejtës.

Së treti, përcaktimi i rregullave për të drejtat e anëtarëve të rinj. Vendet që anëtarësohen do të gëzojnë të drejta plotësisht të barabarta me 27 anëtarët aktualë, përfshirë të drejtën për të pasur një komisioner dhe të drejtën e vetos në vendimmarrje.

Parashikohet, megjithatë, mundësia që anëtarët e rinj të angazhohen vullnetarisht për të mos e përdorur veton për çështje që lidhen me mosmarrëveshjet dypalëshe në kontekstin e zgjerimit, duke parandaluar bllokimin e procesit për shkak të këtyre mosmarrëveshjeve.

Kuadri i ri mbështet gjithashtu modelin e “Integrimit Gradual”, të bazuar në meritë, i cili i mundëson Shqipërisë qasje progresive në sektorë dhe programe kyçe të BE-së përpara anëtarësimit të plotë. Ky model parashikon integrim të përshpejtuar në fusha si siguria kibernetike, mobiliteti ushtarak, Zona Unike e Pagesave në Euro (SEPA) dhe rrjetet trans-europiane të energjisë, duke sjellë përfitime të prekshme ekonomike dhe infrastrukturore.

Dokumenti i Komisionit Europian e vlerëson mbështetjen strategjike për zgjerimin si një investim me përfitime në raport me kostot për qytetarët e BE-së. Ai thekson se afrimi i vendeve që kanë përparuar më shumë në proces, si Mali i Zi dhe Shqipëria, do të kontribuojë në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit përmes zgjerimit të tregut dhe të hapësirës europiane.

Ky rishikim i politikave përbën një sinjal të fortë politik të mbështetjes së Bashkimit Europian për përparimin e Shqipërisë drejt objektivit strategjik “Shqipëria 2030”.

Reformat dhe konsensusi kombëtar mbeten thelbësorë për anëtarësimin në familjen europiane.

Shqipëria është plotësisht e vendosur të vijojë punën me të njëjtin vullnet dhe angazhim për përmbushjen e të gjitha kritereve dhe realizimin e misionit historik të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade”.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.