POLONI – Një viktimë pas një tjetër sulmi me thikë në një shkollë
VARSHAVË, 8 tetor /ATSH-PAP/ – Një punonjëse shkolle ka humbur jetën pasi u sulmua me thikë sot nga një nxënës 15-vjeçar, në një shkollë në Leszczydol-Nowiny, pranë Wyszkow, rreth 50 kilometra në verilindje të Varshavës.
Ministri i Brendshëm polak, Marcin Kierwinski tha fillimisht se gruaja po i nënshtrohej trajtimit në reanimacion, por policia e provincës Mazowieckie njoftoi më pas se ajo nuk mundi t’u mbijetonte plagëve.
Në incident u plagosën gjithsej tre persona.
Adoleshenti plagosi gjithashtu drejtorin e shkollës, i cili arriti ta neutralizonte dhe ndalonte sulmuesin.
Ndërkohë, në qytetin Sierpc, në Poloninë veriore, policia arrestoi një 17-vjeçar, pasi një mësues kishte raportuar shqetësimet për një sulm të mundshëm.
Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën dy thika, ndërsa në telefonin e tij policia zbuloi histori kërkimesh që lidhej me planifikimin e një sulmi.
Vetëm një ditë më parë, një tjetër sulm me thikë kishte ndodhur në një shkollë në Ostrolcka, në verilindje të Polonisë.
Një nxënës 19-vjeçar plagosi nëntë persona dhe më pas plagosi edhe veten.
Seria e incidenteve ka shkaktuar shqetësim të madh në Poloni.
Kryeministri Donald Tusk thirri në një takim urgjent ministrat e Brendshëm, Arsimit, Shëndetësisë dhe Çështjeve Digjitale, së bashku me koordinatorin e shërbimeve speciale dhe drejtuesin e policisë, për të diskutuar dhunën në shkolla./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.