PRAGË – Mijëra protestues kundër qeverisë së Babis para zgjedhjeve
PRAGË, 28 shtator /ATSH-DPA/- Mijëra njerëz protestuan sot në Pragë kundër qeverisë së kryeministrit çek Andrej Babis, të cilën protestuesit e kritikojnë për qëndrimet e saj të djathta dhe populiste.
Protesta u organizua nga lëvizja “Miliona Momente për Demokracinë”, e cila akuzoi qeverinë se nuk po bën mjaftueshëm për sigurinë e vendit dhe luftën kundër dezinformimit.
Udhëheqësi i lëvizjes, Mikulas Minar, tha se rreziku që paraqet Rusia nuk duhet nënvlerësuar dhe se Çekia nuk duhet të sillet sikur ky rrezik nuk e prek.
Protesta u zhvillua në Sheshin e Qytetit të Vjetër në Pragë.
Pjesëmarrësit mbanin flamuj të Çekisë, Ukrainës dhe Bashkimit Evropian.
Organizatorët u bënë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në zgjedhjet lokale dhe në zgjedhjet për një të tretën e Senatit çek, që zhvillohen më 9 dhe 10 tetor, duke u kërkuar të mos votojnë për partitë populiste dhe ekstremiste.
Kritikat ndaj Babis
Protestuesit ngritën gjithashtu shqetësime për një konflikt të mundshëm interesi të Babis, i cili është themelues i një grupi të madh biznesesh.
Edhe pse ai i ka vendosur pasuritë e tij në një fond besimi, çështja vazhdon të jetë objekt kritikash.
Një tjetër pikë kundërshtimi është plani i qeverisë për financimin e mediave publike drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit.
Babis është kritikuar edhe për deklaratat e tij të fundit ndaj gjyqësorit.
Ai ka folur për “një grup të organiziar që fut njerëzit në burg sipas porosisë” dhe ka akuzuar gjyqtarët se marrin vendime pa prova.
Shoqatat e avokatëve dhe gjyqtarëve i kanë cilësuar këto deklarata si sulm ndaj sistemit të drejtësisë.
Qeveria e Çekisë drejtohet që nga dhjetori nga një koalicion i përbërë nga lëvizja ANO e Babis dhe dy parti të tjera të djathta: Motoristët për Veten dhe Liria dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë (SPD).
Në Parlamentin Evropian, ANO është pjesë e grupimit “Patriotët për Evropën”, ku bëjnë pjesë edhe Tubimi Kombëtar i Francës dhe Fidesz e Hungarisë. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.