Prokuroria sekuestron kamerat për identifikimin e policit që qëlloi Vishkullin dhe dërgon letërporosi në Itali
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet kryqëzuara për aktet e dhunës gjatë protestave në kryeqytet, duke u fokusuar veçanërisht te rasti i plagosjes në sy të 28-vjeçarit Erion Vishkulli, i cili dyshohet se u godit nga një plumb gome i përdorur nga forcat e policisë më 24 tetor.
Grupi hetimor i përbërë nga dy prokurorë ka sekuestruar kamerat e sigurisë pranë Bankës së Shqipërisë me qëllim identifikimin e efektivit që kreu qitjen. Pasi mori ndihmën e parë në Spitalin e Traumës, i riu u dërgua për trajtim të specializuar në Itali pasi sfera e gomës ndodhej ende në syrin e dëmtuar. Organi i akuzës i ka dërguar një letërporosi autoriteteve spitalore italiane për vënien në dispozicion të plumbit të gomës si provë kryesore materiale.
Paralelisht, Prokuroria e Tiranës ka hapur të paktën 10 dosje penale për incidentet gjatë tubimeve, ndërsa po shqyrton dhjetëra kallëzime të depozituara nga studio avokatie, Partia Demokratike dhe qendra ligjore “Res Publica”. Hetimet po vijojnë me administrimin e pamjeve filmike dhe marrjen në pyetje të personave të dëmtuar për përcaktimin e përgjegjësive penale.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.