Protesta ka fytyrën e Shqipërisë së nesërme

Në Shqipëri qeverisja kalon nga një skandal te tjetri me një shpejtësi të tillë, sa skandali i ri nuk arrin më të tronditë; thjesht zë vendin e të vjetrit. Rasti më i fundit prek një nga institucionet më të ndjeshme të shtetit. Drejtoresha e SHISH-it, Vlora Hyseni, është pezulluar nga detyra dhe ndaj saj është caktuar masa “arrest në shtëpi”. Ajo po hetohet për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete”, në një procedim që lidhet me dosjen e AKSHI-t. Këto janë akuza në hetim dhe jo një vendim fajësie, por pesha politike e ngjarjes nuk zvogëlohet prej këtij fakti. Kreu i shërbimit sekret të një vendi të NATO-s ndodhet nën hetim për dyshime që prekin vetë sekretin shtetëror.
Në shumë demokraci perëndimore, vetëm kjo do të mjaftonte për një krizë politike. Në Shqipëri nuk mjafton as kjo. Si gjithmonë, dardhat dhe kumbullat hahen prapa shpinës së mbretit. Dorëheqja është zhdukur nga fjalori politik dhe përgjegjësia është transferuar e gjitha te SPAK-u. Qeveria nuk jep llogari; pret prokurorinë. Ministri nuk largohet; pret gjykatën. Kryeministri nuk mban përgjegjësi për njerëzit që ka zgjedhur; pret vendimin e formës së prerë. Me këtë logjikë, politika nuk mban më përgjegjësi politike. Ajo pret që të bëhet penale. Dhe kur bëhet penale, përgjegjësia është personale.
Prandaj një skandal pason tjetrin pa prodhuar krizë qeveritare. Publiku tronditet të hënën, merr një skandal tjetër të mërkurën dhe të premten mezi kujton emrin e të parit. Kjo është bërë mënyrë qeverisjeje. Jo sepse skandalet janë të vogla, ato janë shumë të mëdha, janë bërë aq shumë sa kanë kaluar në nivelin e të pabesueshmes.
Në këtë klimë, protesta që prej muajsh zhvillohet çdo mbrëmje në Tiranë ka marrë një rëndësi tjetër. Më 23 shtator hyri në ditën e 116-të. Në të marrin pjesë qytetarë dhe aktivistë, ndërsa ndër thirrjet që përsëriten prej javësh është një fjali që nuk lë shumë hapësirë për keqkuptim: “Rama në burg, Berisha në burg”.
Kjo është pikërisht forca e saj.
Për herë të parë prej kohësh, zemërimi kundër qeverisë nuk është i detyruar të kalojë nga selia e PD-së. Qytetari mund të jetë kundër Ramës pa u bërë berishist. Mund të kërkojë largimin e kësaj qeverie pa kërkuar kthimin e qeverisë së vjetër. Mund të refuzojë korrupsionin e sotëm pa u regjistruar automatikisht në nostalgjinë politike të së djeshmes.
Kjo e bën protestën shumë më të fortë dhe më të rrezikshme për pushtetin sesa një miting partie.
Rama di të luftojë me Berishën. E ka bërë këtë prej vitesh. E njeh fjalorin e tij, njerëzit e tij, historinë e tij dhe frikën që emri i tij vazhdon të prodhojë te një pjesë e elektoratit. Përballë Berishës, Rama ka gjithmonë një argument rezervë: nëse nuk doni mua, ja kush vjen.
Me një protestë pa Berishën, ky argument humbet.
Berisha ka problemin e vet me një protestë të tillë. Ajo zhvillohet kundër Ramës, por edhe kundër tij. Madje protestuesit kërkojnë publikisht edhe arrestimin e tij. Megjithatë, më 23 shtator Berisha u bëri thirrje strukturave, anëtarëve dhe mbështetësve të PD-së t’i bashkohen protestës qytetare, duke e quajtur mbështetjen e saj “detyrë madhore” të partisë. Hipokrizi totale e hajdutit që do të vjedhë edhe protestën.
Këtu interesat politike të Ramës dhe Berishës fillojnë të takohen, pa pasur nevojë për ndonjë marrëveshje mes dy njerëzve. Ramës i leverdis që protesta të marrë fytyrën e Berishës, sepse kështu mund ta kthejë përsëri konfliktin në formulën që njeh më mirë: Rama kundër Berishës. Berishës i leverdis që protesta kundër Ramës të shihet si pjesë e aksionit të opozitës që ai drejton. Njëri fiton kundërshtarin e vjetër; tjetri fiton një protestë që nuk e nisi vetë dhe që nuk e bën dot vetë.
Në marrëdhënien midis Ramës dhe Berishës, humb protesta dhe Shqipëria.
Në çastin kur një protestë qytetare identifikohet me Berishën, një pjesë e Shqipërisë largohet prej saj. Jo sepse është e kënaqur me Ramën, por sepse nuk pranon që largimi i Ramës të vijë me rikthimin e Berishës. Pikërisht ky mekanizëm e ka mbajtur politikën shqiptare të mbyllur prej vitesh në të njëjtin korridor të ngushtë: kur zemërohesh me njërin, të tregojnë tjetrin.
Protesta e sotme po përpiqet të dalë nga ky korridor. Në pankartat dhe thirrjet e saj shfaqen kërkesa që shkojnë përtej ndërrimit të një emri me një tjetër: kufizimi i mandateve, ndryshimi i rregullave zgjedhore, përgjegjësia për korrupsionin dhe fundi i pazarit politik. Në ditën e 116-të, protestuesit mbanin pankarta me mesazhe për lista të hapura, “duar të pastra” dhe fundin e pazareve mbi votën.
Kjo protestë nuk ngjan me protestat e zakonshme të opozitës. Ajo nuk po kërkon thjesht ndërrimin e shoferit ndërsa makina vazhdon në të njëjtën rrugë. Ajo ka lindur nga mosbesimi ndaj mënyrës si funksionon i gjithë sistemi politik dhe ky mosbesim përfshin edhe pushtetin, edhe opozitën tradicionale.
Rasti i SHISH-it vetëm sa e bën këtë më të dukshme. Kur dyshimet për lidhje me krimin dhe rrjedhjen e sekreteve arrijnë deri te maja e shërbimit inteligjent, problemi nuk është një ministër i gabuar, një drejtor i korruptuar apo një tender i dyshimtë. Ai merr përmasën e një sistemi që prodhon vazhdimisht të njëjtin rezultat dhe pastaj pret që SPAK-u të pastrojë pas tij.
Në kushte të tilla, protesta është sot shpresa më e dukshme për të thyer këtë rreth për ata qytetarë që refuzojnë si vazhdimin e qeverisjes së Ramës, ashtu edhe rikthimin te Berisha. Jo sepse sheshi ka automatikisht zgjidhjet, por sepse është i vetmi vend ku ekuacioni i vjetër politik po sfidohet hapur.
Këtu qëndron beteja reale për fytyrën e protestës. Nëse ajo bëhet “protesta e Berishës”, Rama rifiton kundërshtarin që dëshiron dhe Berisha fiton lëvizjen që nuk krijoi. Shqipëria rikthehet sërish te dy emrat që e kanë mbajtur peng debatin politik për dekada.
Por sot protesta nuk e ka atë fytyrë. Në shesh dëgjohet “Rama në burg, Berisha në burg”. Ky është një fakt politik shumë më domethënës sesa çdo fotografi liderësh në podium.
Sfida e saj është të mos lejojë që fytyra t’i ndërrohet.
Sepse protesta që ka kuptim përtej një rotacioni të zakonshëm nuk është protesta me fytyrën e Edi Ramës dhe as ajo me fytyrën e Sali Berishës.
Është protesta me fytyrën e Shqipërisë që ende nuk ka ardhur.
Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.