Protesta masive në Athinë: Maqedonia është greke
Rezistenca e nacionalistëve, populistëve të djathtë, konservatorëve dhe klerikëve kundër një kompromisi në debatin e emrit me Maqedoninë po zgjerohet: qindra mijëra grekë protestuan në Athinë.
Mes stanjacionit dhe pasionit
Studiuesi i shkencave politike Levteris Koussoulis beson, se rifillimi i demonstratave është pjesë tipike e shoqërisë greke, që është ngurtësuar mes stanjacionit dhe pasionit. “Disa në këtë vend ndihen të lidhur në një mënyrë veçanërisht të prapambetur me historinë. Ata bllokohen të kapur pas së shkuarës dhe nuk e kuptojnë, që bota ecën përpara”, kritikoi Koussoulis në bisedë me DW.
Në kërkim të një kompromisi
Grekët e pretendojnë emrin Maqedoni si pjesë të trashëgimisë historike dhe u tremben po ashtu pretendimeve territoriale ndaj provincës greke me të njëjtin emër. Edhe sot Athina ende insiston për kërkesën, që vendi fqinj ta ndryshojë emrin “Republika e Maqedonisë” të sanksionuar në kushtetutë.
Por pas ndryshimit të qeverisë në Maqedoni grekët janë tërhequr nga pozicioni i ngurtë. Që prej disa kohësh po pranohet, që vendi fqinj të përdor një emër që përmban mbiemrin “maqedonas”. Kësaj linje dëshiron t’i përmbahet kryeministri i majtë Alexis Tsipras. Pas një raundi të ri bisedimesh me ndërmjetësimin e OKB-së u bë e ditur, se qeveria në Athinë e pranon kompromisin për emrin “Gorna Makedonija” (Maqedonia e Epërme).