Protesta në ditën e 49-të dhe integrimi me tre kapituj të mbyllur
Nga Fatos Çoçoli
Në ditën e saj të 49-të, protesta paqësore ose parlamenti qytetar vijon të mbetet një nga zhvillimet më të rëndësishme të jetës politike në Shqipëri. Në sfond, kërkesat për llogaridhënie dhe transparencë janë arritjet e saj. Në thelb, kërkesa kryesore e protestës për dorëheqjen e qeverisë që, megjithë mangësitë, fajet dhe gabimet e veta, po na afron me Bashkimin Evropian, duket se nuk është dëgjuar nga Brukseli.
Kontrasti protestë e zgjatur-integrim me përparim konkret
Po pse? Sepse në të njëjtën kohë me protestën dhe mundimin sifizian të saj në vapë, që të rrëzojë qeverinë dhe drejtuesin e saj, Brukseli i beson Shqipërisë dhe qeverisë që drejton vendin, duke i mbyllur zyrtarisht më 14 korrik 2026, gjatë Konferencës së 9-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Evropian, tre kapituj e parë negociues me BE-në: Kapitullin 25 (Shkenca dhe Kërkimi), Kapitulli 26 (Arsimi dhe Kultura) dhe Kapitulli 30 (Marrëdhëniet me Jashtë).
Këto dy zhvillime të kundërta sjellin disa pyetje të natyrshme: nëse vërtet qeveria e tanishme është e padenjë të qeverisë shqiptarët, sipas protestuesve, pse Bashkimi Evropian i beson kësaj qeverie? Nëse BE-së do i kishin lindur pikëpyetje nga protesta 49-ditore, a nuk i kishte hapësirat Brukseli t’i vononte mbylljen e tre kapitujve të parë bisedues Shqipërisë? A nuk ia ka vonuar BE integrimin vendit tonë në dekadat e fundit me dhjetëra herë, se nuk besontë më përpara në aftësitë e qeverisjes tek ne?
Ne kemi një proces institucional që po shënon përparim konkret në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe i bën mirë ekonomisë sonë. Nga ana tjetër, kemi një protestë e zgjatur që sinjalizon fort se një pjesë e shoqërisë shqiptare kërkon ndryshime dhe shpreh pakënaqësi për çështje të qeverisjes. Që me stuhinë e lajmeve perëndimore të katër javëve të para për protestën, na ka tkurrur pak numrin e pasagjerëve të trajtuar në qershor 2026 nga Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit, në krahasim me qershorin 2025. Ky tregues është i rëndësishëm për ne, pasi nga ai varen të ardhurat e dhjetra mijëra familjeve që japin dhomat apo apartamentet me AirBnB.
Protesta si pjesë e jetës demokratike
Në çdo vend kandidat për në Bashkimin Evropian, e drejta për tubim dhe protestë paqësore është një e drejtë themelore. Vetë Bashkimi Evropian i kushton rëndësi lirisë së shprehjes, pluralizmit dhe dialogut demokratik.
Përparimi konkret me integrimin dhe protesta e zgjatur paqësore nuk janë domosdoshmërisht në kundërshtim me njëra-tjetrën. Në të kundërt, fakti që dhjetra mijëra demonstrues janë lënë të lirë për 48 ditë rrjesht të bllokojnë për orë të tëra gjysmën e qendrës së një kryeqyteti me 860 mijë banorë, pa asnjë incident me forcat e rendit, flet në të mirë të Shqipërisë për integrimin.
Ndërsa, nga ana tjetër, progresi konkret në integrim dëshmon se Bashkimi Evropian beson se kërkesa për zëvendësimin e qeverisë që sot kemi mbi kokë nuk qëndron Në një demokraci funksionale, përparimi në integrimin evropian dhe e drejta për protestë paqësore të zgjatur nuk ka pse të mos bashkëjetojnë.
Mbyllja e Kapitujve 25, 26 dhe 30 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit dërgon disa mesazhe të rëndësishme. Së pari, Bashkimi Evropian njeh progresin e Shqipërisë në fusha specifike dhe i beson qeverisjes që ka sjellë këto përparime. Së dyti, procesi i negociatave me BE-në vazhdon dhe mbetet i kushtëzuar nga zbatimi i reformave, të cilat vijojnë dhe nuk janë krushq të ngrirë, pse mijëra të rinj protestojnë në bulevardin kryesor të Shqipërisë.
Nëse protesta do të vijojë të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe brenda kuadrit ligjor, ajo nuk bie asnjëherë ndesh me aspiratën evropiane të vendit. Përkundrazi, respektimi i të drejtës për protestë paqësore, e garantuar deri tani për 48 ditë rrjesht nga kjo qeverisje që sot kemi, është pjesë e standardeve demokratike që promovon vetë Bashkimi Evropian.
Shqipëria nuk ka pse të zgjedhë midis integrimit evropian dhe debatit demokratik. Përkundrazi, një vend serioz që synon anëtarësimin në BE duhet të jetë në gjendje të avancojë në negociata, duke garantuar njëkohësisht liritë themelore dhe dialogun politik. Dhe duket qartë se vendi ynë këtë sot po e bën, me qeverisjen që ka.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.