Protesta popullore në Prishtinë, Policia me njoftim për angazhimin në mbarëvajtje të sigurisë
Policia e Kosovës, lidhur me vazhdimin e protestës së paralajmëruar për sot, në sheshin ‘Skënderbeu’ pranë objekteve shtetërore në Prishtinë, lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe plotësim-ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara, ka ndërmarrë masat e nevojshme policore për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit e qetësisë publike si dhe mbarëvajtjen e protestës para, gjatë dhe deri në përfundimin e saj.
Në njoftim thuhet se në vazhdimësi, Policia e Kosovës, sipas Ligjit mbi tubimet publike, e njeh të drejtën e qytetarëve për shprehjen e lirë përmes tubimeve e protestave të qeta dhe sipas detyrës zyrtare angazhohet që mbarëvajtja e protestës të kalojë e qetë dhe që pjesëmarrësit në protestë të shprehin qëllimin e tyre në mënyrë demokratike dhe në suaza ligjore.
“Varësisht nevojës operative policore dhe zhvillimeve në terren, mund të ketë kufizime apo ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut në rrugët përreth lokacionit ku zhvillohet protesta, andaj Policia ka paraparë edhe angazhime të njësive policore, në rast të nevojës për riorientim të trafikut në rrugët alternative”, thuhet në njoftim.
Po ashtu siç bëhet e ditur: “Referuar situatës dhe zhvillimeve të ndodhura në protestën e mbrëmshme, ku disa protestues në vazhdimësi kanë hedhur mjete piroteknike, fishekzjarrë e mjete të forta, ndaj objekteve shtetërore dhe zyrtarëve policorë, Policia e Kosovës, me qëllim të vënies së situatës nën kontroll, mundësimit të lirisë së lëvizjes dhe parandalimit të eskalimit të mëtejme të situatës, është detyruar të veprojë ndaj personave që kanë shfaqur dhunë, duke përdorur mjetet e ligjshme policore, sprejin, gazin lotsjellës si dhe topin e ujit për shpërndarje të turmës”.
Tutje thuhet se bazuar në raportet zyrtare, për mosrespektim të thirrjeve të vazhdueshme policore për qetësi dhe rënies ndesh me ligjin, janë arrestuar tre persona ku dy prej tyre me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërsa një është liruar në procedurë të rregullt.
“Si pasojë e zhvillimeve dhe sulmeve me mjete të ndryshme, 20 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme, të cilët kanë pranuar tretman mjekësor. Ndërsa ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe 12 qytetarë/protestues dhe një gazetar të cilët poashtu kanë pranuar tretman mjekësorë.
“Policia e Kosovës duke qenë institucion demokratik dhe llogaridhënës, sipas detyrës zyrtare pas çdo planifikimi operacional, bën vlerësimet pasoperacionale të veprimeve policore në terren dhe varësisht nga të gjeturat mbi veprimet dhe dyshimet e mundshme për tejkalim të autorizimeve policore, ka njoftuar IPK-në si autoritet kompetent. Policia e Kosovës, vazhdon të falënderoj qytetarët për bashkëpunim dhe njëherit ju bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protestë, që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe demokratike, të respektojnë ligjet dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë në interes të sigurisë së përgjithshme. Në menaxhim dhe koordinim të situatës kanë kontribuar edhe institucionet tjera emergjente si ekipet mjekësore, zjarrfikësit dhe të tjera”.
Policia e Kosovës me zyrtarët e saj do të jetë e pranishme në terren, për të garantuar rendin kushtetues, sigurinë publike, sigurinë e qytetarëve, lirinë e lëvizjes dhe mbarëvajtjen e protestës, të cilat mbesin prioritet i Policisë së Kosovës. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.