“Nga dhjetë gra në pushim të lehonisë, vetëm dy janë të punësuara” – Berisha ngre shqetësimin për punësimin e grave në Kosovë
Ekonomistja Brikena Berisha ka folur për pozitën e grave në tregun e punës në Kosovë, duke ngritur shqetësimin se krijimi i familjes vazhdon të jetë një prej momenteve kur një pjesë e grave shkëputen nga puna.
Në episodin e tetë të podcastit “Rrugëtimi”, prodhim i Telegrafit, Berisha tha se të dhënat për lehonat e punësuara dhe të papuna tregojnë për një dallim të madh.
Sipas saj, janë rreth 6,900 lehona të papuna që përfitojnë nga Qeveria, kundrejt rreth 2,200 lehonave të punësuara.
Berisha e ilustroi këtë raport me shembullin e dhjetë grave me karroca që mund t’i shohim në rrugët e Kosovës.
“Ne i shohim sot që i kemi gjashtë mijë e nëntëqind lehona të papuna që marrin përfitimin nga Qeveria dhe i kemi vetëm dy mijë e dyqind të punësuara. Domethënë, nëse i shihni, unë gjithmonë po e marr si shembull, nëse i shihni dhjetë gra me karroca sot tu ecë nëpër Kosovë, veç dy prej tyre janë që janë në leje të lehonisë, pushim i lehonisë, sepse tentohet me iu ndërru emri në leje të lehonisë, sepse pushim nuk është, dhe tetë janë të papuna”, tha Berisha.
Problemi, sipas saj, nuk përfundon vetëm te fakti se një pjesë e madhe e grave janë jashtë tregut të punës në momentin kur bëhen nëna.
Ajo paralajmëroi se një pjesë e tyre mund të kenë qenë të punësuara më herët, por të mos kthehen më në tregun e punës pas lindjes së fëmijës.
“Dhe gjasat janë që ndoshta ndonjëra prej tyre ka qenë më parë e punësuar, por nuk ka me u kthy. Bile edhe këtu, te dy të punësuarat, është sfidë sa do të kthehen në treg të punës”, deklaroi Berisha.
Gjatë diskutimit në “Rrugëtimi”, ajo e lidhi pozitën e grave në tregun e punës edhe me kujdesin ndaj fëmijëve, mungesën e infrastrukturës së mjaftueshme dhe mënyrën se si është rregulluar leja e lehonisë.
Intervistën e plotë me Brikena Berishën mund ta ndiqni në episodin e tetë të podcastit “Rrugëtimi”, prodhim i Telegrafit. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.