Protestat e studentëve, PD kërkon seancë plenare urgjente në Kuvend
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i është drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me një kërkesë për zhvillimin e një seance plenare urgjente, ku të diskutohet situata e krijuar pas tetë ditësh protestash të studentëve dhe të rinjve në vend.
Në kërkesën drejtuar Kuvendit, opozita argumenton se protesta po vijon prej më shumë se një jave, ndërsa studentët dhe të rinjtë, sipas saj, kanë artikuluar si kërkesë kryesore largimin e kryeministrit Edi Rama, duke shprehur pakënaqësi ndaj qeverisjes, korrupsionit dhe mungesës së perspektivës për brezin e ri.
Sipas deputetëve demokratë, një nga shqetësimet kryesore lidhet me mënyrën e ndërhyrjes së Policisë së Shtetit gjatë protestave. Në dokumentin e depozituar në Kuvend pretendohet se gjatë ditëve të fundit janë regjistruar raste të përdorimit të tepruar të forcës ndaj protestuesve, përfshirë të mitur, studentë, gra dhe vajza.
PD pretendon se nga përplasjet janë raportuar lëndime fizike të ndryshme, mes tyre fraktura, dëmtime në kokë dhe plagë të tjera, të cilat sipas opozitës lidhen edhe me përdorimin e plumbave të gomës dhe lëndëve kimike nga forcat e rendit.
Në kërkesën e saj, Partia Demokratike shpreh shqetësim edhe për anulimin e seancës plenare të planifikuar, duke argumentuar se Kuvendi duhet të ushtrojë rolin e tij kushtetues në shqyrtimin e situatës dhe kërkimin e llogaridhënies institucionale.
“Gjatë këtyre ditëve të protestës, ne, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, kemi konstatuar akte të rënda dhune ndaj studentëve dhe të rinjve. Këto akte, të cilat dëshmojnë një përdorim shqetësues dhe të papranueshëm të forcës nga Policia e Shtetit, nuk kanë kursyer as të miturit, gratë dhe vajzat”, thuhet në kërkesën e grupit parlamentar demokrat.
Më tej, opozita vlerëson se është shqetësues fakti që, sipas saj, Kuvendi nuk ka kërkuar llogari për veprimet e policisë, ndërsa ngre pretendime se një pjesë e efektivëve të angazhuar në protestë nuk kanë mbajtur mjete identifikimi.
“Përballë kësaj situate të paprecedentë, është veçanërisht shqetësues që Kuvendi i Shqipërisë jo vetëm nuk ka ndërmarrë hapa për të kërkuar llogaridhënie institucionale lidhur me veprimet e punonjësve të Policisë së Shtetit, por ka anuluar edhe seancën plenare të parashikuar, pa njoftim paraprak dhe pa dhënë një shpjegim të arsyetuar për këtë vendim”, theksohet në dokument.
Në mbështetje të nenit 31 të Rregullores së Kuvendit, deputetët e PD-së kërkojnë mbledhjen e seancës plenare brenda ditës së sotme ose, në alternativë, gjatë ditës së mërkurë.
Sipas kërkesës, rendi i ditës duhet të fokusohet në diskutimin e protestës së studentëve dhe të rinjve, kërkesave të tyre politike, si dhe pretendimeve për dhunë të ushtruar gjatë tubimeve.
“Vlerësojmë se Kuvendi i Shqipërisë ka detyrimin institucional të garantojë transparencën, llogaridhënien dhe shqyrtimin parlamentar të kësaj situate, duke bërë të mundur diskutimin e saj në një seancë plenare dhe duke kërkuar përgjegjësi për çdo shkelje të ligjit të konstatuar”, thuhet më tej në kërkesën e opozitës.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka kërkuar zyrtarisht Kuvendit që të marrë masat e nevojshme për shqyrtimin me urgjencë të kërkesës dhe thirrjen e seancës plenare për diskutimin e situatës së krijuar nga protestat.
pd
/rtsh,al/
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.