Protestë kundër Ligjit për Shtetësinë, kërkohet publikimi i numrit të aplikuesve serbë
Aktivistët e Lëvizjes Revolta kanë mbajtur sot një protestë, duke kundërshtuar, sipas tyre, zbatimin e Ligjit për Shtetësinë dhe duke kërkuar publikimin e numrit të serbëve që kanë aplikuar për shtetësi të Kosovës që nga hyrja në fuqi e ligjit të ri.
Aktivisti i Lëvizjes Revolta, Rilind Kuçi, tha se protesta u organizua për të ngritur shqetësimin lidhur me dhënien e shtetësisë për personat që, sipas tij, nuk duhet ta gëzojnë këtë të drejtë.
Ai deklaroi se fillimisht i kanë kërkuar Ministrisë së Punëve të Brendshme të publikojë numrin e aplikuesve për shtetësi, por se nuk kanë marrë përgjigje.
“Sot kemi dalë me protestuar… me protestuar një prej çështjeve më të mëdha me të cilat po përballen sot shtetasit tanë. Shkaku kryesor është jepja e shtetësisë për serbët që nuk kanë të drejtë me gëzuar këtë të drejtë. Në fillim ne i kemi kërkuar Ministrisë së Punëve të Brendshme që të dalë me një deklaratë dhe të tregojë se sa serbë kanë aplikuar deri sot që nga ligji i ri për me fituar shtetësinë kosovare. Ajo që kemi marrë prej ministrisë ka qenë heshtja. Ata kanë vendosur me u fshehur pas këtij fakti, prandaj ne kemi marrë një aktivitet simbolik para Ministrisë së Punëve të Brendshme për të shprehur pakënaqësinë. Sot kemi dalë me i protestuar kryetarit të ri ditën për me i shpalos kërkesat tona kryesore”, u shpreh ai.
Kuçi tha se protesta e sotme kishte për qëllim paraqitjen e tri kërkesave kryesore: publikimin e numrit të aplikuesve për shtetësi, shfuqizimin e Ligjit për Shtetësinë dhe shfuqizimin e nenit 155, për të cilin ai tha se u mundëson serbëve që kanë qenë banorë në vitin 1998 të fitoj shtetësinë e Kosovës.
“Ndaj tij ne i kemi tri kërkesa: E para ka të bëjë me shtrimin e presionit mbi qeverinë për publikimin e numrit të saktë të serbëve që kanë aplikuar për shtetësi kosovare, që nga ligji i ri. Përderisa e dyta lidhet me shfuqizimin e ligjit të ri për shtetësi, pasi që konsiderojmë që ky ligj është diskriminues dhe lehtëson procedurat e serbëve që të fitojnë shtetësinë kosovare. Dhe përderisa e treta ka të bëjë me shfuqizimin e nenit 155 prej pushtetit vendosës, i cili i jep të drejtë serbëve që kanë qenë banorë në vitin 1998 me fituar shtetësinë kosovare. Gjithë këto vendime mund t’i marrë kryetari i ri, pasi që ata sot e marrin me mandat. Dhe së bashku me mandat vjen edhe përgjegjësia për këtë vend dhe për këta qytetarë. Prandaj le të tregohen të përgjegjshëm dhe t’i marrin kështu vendimet edhe kërkesat tona t’i dërgojnë para qeverisë”, deklaroi Kuçi.
Në fund, ai paralajmëroi vazhdimin e protestave nëse kërkesat nuk merren parasysh. /Kp/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.