Protestuesit ndalin Arbërie Nagavcin, Arian Tahirin dhe Besnik Tahirin: Thirreni seancën, votojeni ligjin për UÇK-në
Protestuesit e iniciativës “Jo në emrin tim” kanë zhvilluar aksion para shtëpive të kryetarëve të grupeve parlamentare të LVV-së, PDK-së dhe Aleancës, përkatësisht Arbërie Nagavcit, Arian Tahirit dhe Besnik Tahirit.
Ata u kanë kërkuar drejtuesve të grupeve parlamentare që të thirret sa më parë seanca e Kuvendit dhe të votohet projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, të cilin e konsiderojnë të rëndësishëm për mbrojtjen e UÇK-së dhe ish-pjesëtarëve të saj.
Gjatë përballjes me protestuesit, Arbërie Nagavci ka thënë se nënshkrimet për thirrjen e seancës tashmë janë mbledhur.
“Nënshkrimet i kemi mbledh, është turp për ty me më thanë mu marrë pa bo asgjë”, ka deklaruar Nagavci.
Ndërsa Besnik Tahiri ka thënë se nënshkrimet janë dorëzuar dhe se tashmë ekziston edhe projektligji.
“Po i kemi mbledh edhe i kena dhanë nënshkrimet pardje. Nënshkrimet janë, ligji është. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi kanë nevojë për këtë ligj”, tha Tahiri.
Edhe Arian Tahiri ka kërkuar që procedura të vazhdojë përmes Kuvendit, duke theksuar se tash është në dorën e kryetares së Kuvendit që të thërrasë seancën.
“Ligji për Gjykatën Speciale është Kuvend e tash duhet kryetarja e Kuvendit sa ma shpejt me thirrë seancën”, u shpreh Arian Tahiri.
Protestuesit kanë kërkuar që drejtuesit e grupeve parlamentare t’i kthejnë në veprim konkret zotimet për miratimin e ndryshimeve ligjore, duke siguruar mbështetjen e deputetëve për procedimin dhe votimin e tyre.
Ky aksion vjen në një kohë kur kanë mbetur më pak se 72 orë deri në përfundimin e afatit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Sipas protestuesve, nëse presidenti nuk zgjidhet dhe vendi shkon në zgjedhje, ekziston rreziku që projektligji të mos miratohet nga kjo përbërje e Kuvendit.
Iniciativa “Jo në emrin tim” ka përsëritur kërkesën që të thirret seanca dhe të votohet ligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.