PS feston 35-vjetorin në Vlorë, Bledi Çuçi: Partia Socialiste sot më e fortë se kurrë, me 83 mandate dhe 54 bashki
Në kuadër të 35-vjetorit të Partisë Socialiste, i deleguari politik në qarkun e Vlorës, Bledi Çuçi, theksoi se PS ka qenë gjithmonë shembull transformimi dhe modernizimi.
Ai u shpreh se që prej vitit 1991, kjo forcë politike ka treguar se si një vend mund të ecë drejt së ardhmes, duke u renditur sot mes partive simotra europiane.
“Partia Socialiste që prej ’91 ka dhënë vetëm shembuj transformimi të vetes së saj dhe vetëm shembuj se si mund të shkojë një vend drejt së ardhmes. Sot nderojmë të gjithë ata që kanë pasur guximin që të kthejnë një forcë të ardhur nga e kaluara jo shumë e bukur politike në një forcë politike për t’u renditur me simotrat e saj europiane.”
Çuçi nderoi kontributin e atyre që patën guximin të shndërrojnë një forcë të ardhur nga një e kaluar jo fort e bukur politike, në një parti të konsoliduar dhe të emancipuar.
Ai kujtoi se sot PS vjen më e fortë se kurrë, me 83 mandate në Parlament, me 54 kryetarë bashkish nga 61 që ka Shqipëria, si dhe me një përfaqësim të barabartë në të gjitha instancat e saj, nga organizatat bazë deri në kryesinë e partisë.
“Sot Partia Socialiste e Shqipërisë vjen më e fortë dhe ajo sot vjen me 83 mandate në parlament, vjen me 54 kryetarë bashkish, nga 61 që ka Shqipëria, vjen e konsoliduar në të gjitha këshillat bashkiak dhe mbi të gjitha më e emancipuar se kurrë. Sot kemi një përfaqësim të barabartë në të gjitha instancat e PS duke nisur që nga qelizat e organizatave dhe deri në kryesinë e PS.”
Në fjalën e tij, Çuçi theksoi se ky sukses është rezultat i lidershipit që ka udhëhequr PS ndër vite. Ai përmendi rolin e ish-kryetarit Fatos Nano, i cili nisi modernizimin e partisë, si dhe pasardhësin e tij, kryeministrin aktual Edi Rama, që ka transformuar jo vetëm PS-në, por edhe Shqipërinë.
Ky përvjetor, sipas Çuçit, është dëshmi e rrugëtimit të Partisë Socialiste, e cila sot paraqitet si një forcë politike e konsoliduar, moderne dhe e gatshme për të udhëhequr vendin drejt së ardhmes.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.