Pse jemi mirë në rajon në përthithjen e fondeve të BE-së?
Nga Fatos Çoçoli
Sipas Raportit të Konvergjencës Ekonomike për Ballkanin Perëndimor të OECD-së për vitin 2026, Shqipëria renditet e dyta në Ballkanin Perëndimor për mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian për frymë gjatë ciklit 2021–2027, me një mesatare prej mbi 100 eurosh në vit për banor.
Ky pozicion, i cili vjen pas Malit të Zi në vendin e parë, është një tregues i rëndësishëm i mbështetjes evropiane për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Ai tregon se vendi ka në dispozicion instrumente financiare që mund të ndihmojnë në modernizimin e ekonomisë, përmirësimin e infrastrukturës, forcimin e institucioneve dhe përshpejtimin e afrimit me Bashkimin Evropian.
Avantazhi i fondeve të konsiderueshme nga BE
Ky është një avantazh financiar që mund të ndihmojë në ngushtimin gradual të diferencave ekonomike me vendet e Bashkimit Evropian. Fondet evropiane përshpejtojnë konvergjencën ekonomike të vendit. Konvergjenca ekonomike nënkupton afrimin gradual të nivelit të zhvillimit, të ardhurave dhe produktivitetit të Shqipërisë me ato të vendeve të Bashkimit Evropian. Ky afrim realizohet përmes disa faktorëve.
Së pari, për një ekonomi si e jona, ky proces kërkon investime të mëdha dhe reforma që rrisin aftësinë e bizneseve për të konkurruar në tregun evropian. Prandaj dhe mbështetja financiare e BE-së mund të ndihmojë në modernizimin e infrastrukturës sonë rrugore, hekurudhore dhe logjistike, në përmirësimin e furnizimit me energji dhe zhvillimin e burimeve të rinovueshme, në rritjen e produktivitetit të ndërmarrjeve, në digjitalizimin e administratës publike, në përmirësimin e arsimit dhe aftësive profesionale, si dhe në forcimin e institucioneve dhe sundimit të ligjit.
Së dyti, instrumenti për Reforma dhe Rritje është pjesë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të paraqitur nga Komisioni Evropian në vitin 2023 dhe të mbështetur nga një paketë rajonale prej 6 miliardë eurosh në grante dhe hua. Ai synon të përshpejtojë reformat, integrimin ekonomik dhe afrimin me tregun e përbashkët evropian.
Kombinimi i këtyre instrumenteve ka rëndësi sepse mbështetja evropiane nuk synon vetëm financimin e projekteve konkrete. Ajo synon gjithashtu të ndryshojë mënyrën se si funksionojnë institucionet dhe ekonomia tek ne.
Së treti, investimet evropiane rrisin konkurrueshmërinë e biznesit shqiptar. Një prej sfidave kryesore të ekonomisë shqiptare është rritja e produktivitetit të ndërmarrjeve. Bizneset kanë nevojë për infrastrukturë më të mirë, energji të sigurt, punonjës të kualifikuar, teknologji dhe qasje më të lehtë në tregjet ndërkombëtare. Dhe fondet evropiane ndihmojnë fort në krijimin e këtyre kushteve.
Për shembull, përmirësimi i lidhjeve hekurudhore dhe rrugore ul kostot e transportit, ndërsa investimet në energji rrisin sigurinë e furnizimit. Digjitalizimi shkurton kohën e procedurave administrative për biznesin, ndërsa programet e aftësimit profesional i ndihmojnë kompanitë të gjejnë punonjës me kualifikimet e nevojshme.
Paratë nga Instrumenti për Reforma dhe Rritje
Nga përthithja e fondeve nga Instrumenti i BE-së për Reforma dhe Rritje(RGGF), pjesë e Planit të Rritjes së Komisionit Evropian, Shqipëria është ndër vendet më të avancuara të rajonit. Deri në gjysmën e parë të vitit 2026, vendi kishte marrë 23.1% të financimit të disponueshëm nga RGGF, vetëm 0.2 pikë përqindjeje më pak se Mali i Zi, që kryeson me 23.3%.
Maqedonia e Veriut kishte marrë 18.9%, Serbia 10.6% dhe Kosova 7%, ndërsa Bosnjë-Hercegovina nuk kishte marrë ende financim nga ky mekanizëm, pasi agjenda e saj e Reformave nuk ishte ratifikuar në momentin e hartimit të raportit.
Fondet e BE-së frenojnë emigracionin
Efekti i pritshëm është një ekonomi e Shqipërisë, ku bizneset prodhojnë më shumë, shesin në tregje më të mëdha dhe të krijojnë vende pune me paga më të larta.
Së katërti, bujqësia dhe turizmi përfitojnë nga afrimi me standardet evropiane, pjesë e rëndësishme e programeve të BE-së. Në bujqësi, financimi dhe asistenca teknike ndihmojnë në përmirësimin e sigurisë ushqimore, standardeve të prodhimit, sistemeve të ujitjes, magazinimit dhe përpunimit. Këto janë kushte të rëndësishme për të rritur eksportet dhe për të konkurruar në tregun e BE-së.
Në turizëm, investimet në infrastrukturë, mbrojtjen e mjedisit, menaxhimin e mbetjeve dhe përmirësimin e shërbimeve rrisin cilësinë e ofertës shqiptare.
Së pesti, fondet evropiane ndihmojnë në frenimin e emigrimit. Një prej sfidave më të mëdha të Shqipërisë është emigrimi i popullsisë, veçanërisht i të rinjve dhe profesionistëve të kualifikuar. Fondet evropiane nuk e zgjidhin vetvetiu këtë problem, por kontribuojnë në krijimin e kushteve ekonomike që e bëjnë më tërheqëse jetesën dhe punën në vend.
Së gjashti, fondet e Bashkimit Evropian janë një mundësi për modernizimin e shtetit tonë. Konvergjenca me BE-në nuk është vetëm çështje infrastrukture apo të ardhurash për frymë. Ajo përfshin edhe standardet e administrimit publik, drejtësisë, konkurrencës, mbrojtjes së konsumatorit dhe përdorimit të parasë publike. Prandaj reformat institucionale ulin pasigurinë për investitorët, përmirësojnë klimën e biznesit dhe forcojnë besimin e qytetarëve te shteti.
Përfitimi afatgjatë mund të jetë edhe më i madh se vetë financimi: institucione më të parashikueshme dhe rregulla më të qarta krijojnë kushtet që ekonomia private të investojë dhe të rritet edhe pas përfundimit të programeve evropiane.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.