🌤️
Tiranë 32°C · Kryesisht kthjellët 21 June 2026
S&P 500 7,501 ▲1.08%
DOW 51,565 ▲0.14%
NASDAQ 26,518 ▲1.91%
NAFTA 76.54 ▲0.91%
ARI 4,173 ▼1.72%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1468 EUR/GBP 0.8672 EUR/CHF 0.9252 EUR/ALL 94.7947 EUR/MKD 61.6323 EUR/RSD 117.3906 EUR/TRY 53.2824 EUR/JPY 184.93 EUR/CAD 1.6228 EUR/USD 1.1468 EUR/GBP 0.8672 EUR/CHF 0.9252 EUR/ALL 94.7947 EUR/MKD 61.6323 EUR/RSD 117.3906 EUR/TRY 53.2824 EUR/JPY 184.93 EUR/CAD 1.6228
₿ CRYPTO
BTC $64,069 ▲ +1.05% ETH $1,725 ▲ +0.58% XRP $1.1455 ▲ +0.74% SOL $74.0100 ▲ +4.31%
S&P 500 7,501 ▲1.08 % DOW 51,565 ▲0.14 % NASDAQ 26,518 ▲1.91 % NAFTA 76.54 ▲0.91 % ARI 4,173 ▼1.72 % S&P 500 7,501 ▲1.08 % DOW 51,565 ▲0.14 % NASDAQ 26,518 ▲1.91 % NAFTA 76.54 ▲0.91 % ARI 4,173 ▼1.72 %
EUR/USD 1.1468 EUR/GBP 0.8672 EUR/CHF 0.9252 EUR/ALL 94.7947 EUR/MKD 61.6323 EUR/RSD 117.3906 EUR/TRY 53.2824 EUR/JPY 184.93 EUR/CAD 1.6228 EUR/USD 1.1468 EUR/GBP 0.8672 EUR/CHF 0.9252 EUR/ALL 94.7947 EUR/MKD 61.6323 EUR/RSD 117.3906 EUR/TRY 53.2824 EUR/JPY 184.93 EUR/CAD 1.6228
21 Jun 2026
Breaking
Opinion

Pse po e denigrojnë studiuesin Ardit Bido?

Nga Prof. dr. Rami Memushaj

Një nga anomalitë e protestës trejavore që po zhvillohet në Tiranë, është mujshimi dhe denigrimi publik i atyre që mendojnë e shprehen ndryshe. Kështu i ndodhi edhe deputetit Ardit Bido, një ndër deputetë e rinj të kuvendit të Shqipërisë, i cili zgjodhi të dilte i vetëm nga salla e Kuvendit të Shqipërisë. Por u gjend i rrethuar nga turma e protestuesve të egërsuar, të cilët e vunë në mes duke i thirrur “hajdut”. Sa e pashë atë skenë të shëmtuar, m’u kujtua historia e dhunimit të dirigjentit italian Arturo Toskanini, për të cilin pati shkruar edhe Fan Noli para një shekulli. Toskanini u sulmua dhe u rrah nga këmishëzinjtë e Musolinit sepse nuk pranoi që në hapje të koncertit të luante himnin e tyre “Giovinezza”. Natyrisht, puna me Bidon nuk arriti deri atje, pasi policia e largoi nga turma. Por pamja ishte e njëjtë: turma që kërcënon një intelektual të njohur, i cili s’ka asnjë vit si deputet i Kuvendit dhe nuk mund të fajësohet për ato që mëton protesta.

Fyerja që iu bë Bidos, nuk u mbyll me atë incident. Një ditë më pas u shfaqën njerëz që mbanin pankarta me fytyrën e tij, ku akuzohej si njeri që ka ngrënë bukën e grekut (ka studiuar me bursë greke, pra ka përmbysur sofrën ku ka ngrënë!), pastaj është katapultuar drejtor i Arkivit Shtetëror dhe, më në fund, është zgjedhur deputet i Partisë Socialiste. Dhe këtë pankartë e shohim ditë për ditë në protestë.

Po a e dinë ata që mbajnë pankarta të Bidos se kush është Ardit Bidoja? Nuk dinë asgjë, se nuk kanë si ta dinë militantë që u është dhënë për të mbajtur lart shkopin e pankartës. Detyra e tyre nuk është të mendojnë dhe të dinë, po vetëm t’u binden urdhëruesve.

Ardit Bidoja është një studiues i mirëshkolluar e i ndriçuar, nga ata që i kemi të paktë në institucionet tona shkencore. Dhe jo vetëm i mirëshkolluar, po edhe një studiues që në veprimtarinë e tij krijuese shquhet për objektivitetin shkencor dhe atdhetarizmin në përpjekjet për argumentimin e përkatësisë etnike shqiptare të trevës së bregdetit të Jonit, nga Palasa në Konispol, dhe si demaskues i përpjekjeve të qarqeve shoviniste greke dhe të shërbëtorëve të tyre në Shqipëri për të ndryshuar hartën etnike të kësaj zone. Po të lexosh doktoraturën e tij për autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare (2025), librin “Beteja për 20 përqindëshin” (2023), kumtimet e tij në konferenca shkencore dhe artikulimet në mediet e shkruara e televizive, do të kuptosh se ai është shumë herë më atdhetar sesa të gjithë “patriotët” e protestës që tundin flamuj të Shqipërisë e të Shqipërisë etnike.

Këto gjëra nuk i dinë ata që bartin këto pankarta, po i dinë mirë ata që i kanë frymëzuar ato. Janë njerëz që e sulmojnë Bidon pikërisht për qëndrimet e tij atdhetare dhe jo për arsye ideologjike. Për këtë ata kanë zgjedhur linçimin publik, duke e përdhosur edhe protestën, nën paraqitjen qytetare të së cilës fshihen grupe me qëllime të errëta e aspak kombëtare, si ky grup grekomanësh, që përbëhet nga njerëz të partizave a shoqatave të cilat u shërbejnë interesave të shovinizmit greke, duke u përpjekur të gjejnë pakica greke deri në Vermosh.

Si politikan, Bidoja është një prurje e re në politikën shqiptare. Me dijet dhe me guximin e tij qytetar, ai ka mbajtur qëndrime objektive në trajtimin e problemeve aktuale dhe u është kundërvënë me argumente kundërshtarëve. Është një nga ata zëra të rinj për të cilët ka shumë nevojë vendi në këtë fazë të zhvillimit. Shumë qahen se Kuvendi nuk ka më profesorë si ata të 1992-it, sepse nuk pranojnë të vihen në rresht dhe të pranojnë pushtetin absolut të udhëheqësve të partive. Qasja e kësaj klase të rinjsh në skakierën politike u bën mirë partive, e bën më të mençur politikën dhe i bën mirë edhe Shqipërisë. Prandaj figura të tilla, të ndriçuara mendërisht dhe të pastra moralisht, duhen mirëpritur dhe jo mujshuar, stigmatizuar apo denigruar.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.