Pushimet e shkurtra çdo dy muaj ndihmojnë në rikuperimin nga stresi i punës
– Një studim i publikuar në revistën shkencore “Cureus” sugjeron se pushimet e shkurtra dhe të shpërndara gjatë vitit, mund të ndihmojnë në rikuperimin e vazhdueshëm nga stresi i punës dhe në ruajtjen e mirëqenies.
Kërkimi u krye nga studiues të Institucionit për Shëndetin dhe Kujdesin (NHS) në Britaninë e Madhe, në bashkëpunim me Spitalin Tawam, në Al Ain të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA).
Në studimin me titull “Maksimizimi i rikuperimit: Epërsia e pushimeve të shpeshta për mirëqenien dhe performancën”, autorët Selvaraj Giridharan dhe Bhuvana Pandiyan argumentojnë, se pushimet e shpeshta mund të ofrojnë mundësi për rikuperim, në vend që ditët e pushimit të grumbullohen vetëm në një periudhë të gjatë gjatë vitit.
Autorët propozojnë që, si një strategji për menaxhimin e stresit, punonjësit duhet të planifikojnë pushime të shkurtra rreth çdo dy muaj.
Ata theksojnë gjithashtu rëndësinë e shkëputjes së plotë nga komunikimet dhe detyrat e punës gjatë pushimeve.
Një studim i publikuar në “Journal of Happiness Studies”, u realizua me ndjekjen e 54 punonjësve gjatë dhe pas pushimeve.
Pushimet zgjatën mesatarisht 23 ditë dhe pjesëmarrësit raportuan për gjendjen e tyre para pushimeve, disa herë gjatë tyre dhe në pesë momente pas rikthimit në punë.
Rezultatet treguan se mirëqenia dhe gjendja shëndetësore, u përmirësuan shpejt gjatë pushimeve dhe arritën nivelin më të lartë rreth ditës së tetë.
Megjithatë, pas rikthimit në punë, përmirësimi ishte jetëshkurtër dhe u kthye në nivelin para pushimeve brenda javës së parë.
Studimi tregoi gjithashtu se mënyra se si kalohen pushimet mund të ketë rëndësi.
Relaksimi, kënaqësia nga aktivitetet, ndjenja e kontrollit mbi kohën, përjetimi i aktiviteteve dhe gjumi më i gjatë e më cilësor, u shoqëruan me përmirësime më të mëdha në mirëqenie.
Autorët argumentojnë se këto të dhëna mbështesin idenë e rikuperimit të rregullt dhe, për këtë arsye, rekomandojnë shpërndarjen e pushimeve gjatë vitit. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.