Nëntë persona janë arrestuar në Zubin Potok nën dyshimin për krime lufte
Nëntë persona janë arrestuar në orët e hershme të mëngjesit të së dielës në komunën e Zubin Potokut, në kuadër të një operacioni të Policisë së Kosovës, të urdhëruar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Operacioni, i koduar me emrin “Dosja 23”, është zhvilluar nga Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, në mbështetje edhe të njësive të tjera të specializuara policore.
Sipas njoftimit të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, personat e arrestuar dyshohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
“Si rezultat i këtij operacioni janë arrestuar nëntë (9) persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Krime lufte kundër popullsisë civile’”, thuhet në komunikatë.
Autoritetet kanë bërë të ditur se operacioni lidhet me rastin e njohur si “Grupi i intelektualëve”.
“Opercioni policor ndërlidhet me rastin e njohur si ‘Grupi i intelektualëve’”, thuhet më tej në njoftim.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar se për detajet e tjera të operacionit dhe veprimet e ndërmarra do të informohet publiku në momentin kur këto informacione mund të bëhen publike.
“Për detaje të mëtejshme lidhur me operacionin dhe veprimet e ndërmarra, Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës do ta informojnë publikun në momentin kur informacioni mund të bëhet publik”, thuhet në komunikatën e përbashkët. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.