Kina në OKB: Sovraniteti dhe siguria e vendeve të Gjirit, përfshirë Hormuzin, “duhet të respektohen”
Kina i ka bërë thirrje respektimit të sovranitetit dhe sigurisë së vendeve të Lindjes së Mesme, përfshirë ato të Gjirit, gjatë fjalimit të saj në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, siç raporton Al Jazeera. Zëvendëspresidenti kinez Han Zheng tha se “sovraniteti dhe siguria e vendeve të Lindjes së Mesme, përfshirë Gjirin, duhet të respektohen”, në një kohë kur Ngushtica e Hormuzit mbetet në qendër të konfliktit shtatëmujor mes SHBA-së dhe Iranit.
Deklarata e Pekinit vjen një ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump refuzoi publikisht propozimin iranian për një plan 7-ditor, i cili parashikonte rihapjen e Hormuzit brenda një jave dhe rifillimin e bisedimeve bërthamore, në këmbim të heqjes së bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane, zhbllokimit të 12 miliardë dollarëve asete të ngrira dhe përjashtimit të naftës iraniane nga sanksionet.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi tha të dielën se Teherani e ka marrë parasysh reagimin e Trump-it, por ende nuk ka marrë “qëndrimin përfundimtar” të Uashingtonit përmes ndërmjetësve. “Ne po presim që ndërmjetësit të na përcjellin pikëpamjet përfundimtare dhe do të vendosim mbi bazën e tyre”, tha Araghchi, duke këmbëngulur se “vetëm një zgjidhje e negociuar mund t’i nxjerrë nga ky ngërç”.
Kina ka qenë një nga blerësit kryesorë të naftës iraniane gjatë gjithë konfliktit, ndërsa Uashingtoni ka kërkuar masa ndaj kompanive kineze që mbështesin Teheranin. Sipas raportimit të Al Jazeera-s, Han Zheng bëri thirrje gjithashtu për sovranitetin palestinez dhe rindërtimin e Gazës pas konfliktit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.