Muzike

Qerimaj, opera si dashuria e parë

Fatos Qerimaj, nga muzika xhaz tek opera/ Në prag të Festivalit të 14 Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”

Në ndryshim nga xhazi që ka marrë fund (e këtë e thotë promotori i kulturës xhaz në Shqipëri) opera ringjallet nga hiri i vet, pasi ka më shumë intrigë dhe disa arte të ndërthurura. 

Fatos Qerimaj (1)Fatos Qerimaj është një personazh, të cilit është pak e vështirë t’i bësh komente shtesë, përtej punës dhe krijimtarisë së tij të dendur. Shfaqjet, performancat dhe kontributi i tij në muzikë prej kohësh janë në sytë e në vetëdijen muzikore të publikut. Ka eksperimentuar thuajse të gjitha zhanret e muzikës…nga opera te xhazi, nga muzika instrumentale tek ajo popullore (si pjesë integrale e gjenit dhe traditës familjare) por këtë herë, së bashku me instrumentistët e talentuar të formacionit orkestral “Tirana Cafe Concert” do të jenë si flladi i freskët në një kompeticion që tashmë ka krijuar monumentin e vet e pikërisht Festivali Operistik Ndërkombëtar “Marie Kraja”. Qerimajn e takuam pak ditë para fillimit të edicionit të 14 të Festivalit “Marie Kraja”. Ai jo vetëm rrëfen si pranoi të bashkëpunonte me Zana Çelën për këtë ngjarje të rëndësishme kulturore por edhe pasionin e tij të hershëm për operën. “Në përpjekjen për mbijetesë të artit të mirëfilltë, arti që edukon estetikisht ngjarje si festivalet dhe mbrëmjet koncertore duhet ruajtur si uji i gjallë”, thotë ai. Qerimaj është klarineta por edhe tingulli solist brenda një formacioni që eksperimenton dukshëm me muzikën instrumentale apo edhe me atë tradicionale, duke i sjellë gjithnjë me një trup dhe veshje të re dhe të freskët pjesët që marrin përsipër të interpretojnë. Ndoshta pikërisht prej kësaj cilësie të rrallë që ka ky formacion, producentja e festivalit “Marie Kraja” ka vendosur t’i bëjë pjesë integrale të festivalit. Formacioni orkestral do të jetë tapeti harmonik ku këngëtarët lirikë do të mbështeten për garën e tyre në këngët e legjendës që i jep festivalit një dimension edhe më argëtues, edhe më pranë publikut. Sepse këngë të tilla si “Granada”, Zarzuela spanjolle, “Besame Mucho”, “Ochi Chernye”, “Non, Je ne regrette rien” janë perla të muzikologjisë botërore e të cilat pritet ta bëjnë ekzaltuese atmosferën në festivalin “Marie Kraja”. “Kemi punuar edhe me këngëtarë herë pas here si formacion, por kurrë kaq intensivisht pasi aktiviteti ynë më tepër bazohet në muzikën instrumentale, ndaj do të jetë një sfidë e bukur të luajmë për talente premtuese të skenës operistike. Janë këngë shumë të famshme dhe provat e formacionit kanë filluar prej disa ditësh, pasi është bërë përzgjedhja e titujve me kujdes. Në prova nuk mungojnë diskutimet, pasi engjëlli besnik i pjesëve është padyshim profesor Robert Radoja, ndërkohë që unë me Lorencin (Lorenc Radovani, violinist) përpiqemi të fusim elemente të reja, ngjyrime që i japin një lloj freskie një kënge, edhe pse ajo mund të jetë shkruar në fillim të 1900-s. Për këtë arsye kemi shtuar brenda formacionit dhe dy instrumente të tjera, fizarmonikën dhe perkusionin, për t’i bërë këngët të tingëllojnë autentike e njëherazi moderne, sepse kjo garë është edhe një argëtim për vetë artistët e sigurisht një çast i rrallë shijimi për publikun”, thotë Qerimaj. Shpesh bëhet pyetja se çfarë konsiderohet klasike dhe përveç operës, çfarë elementi muzikor mund të fitojë këtë status?! “Janë pikërisht këngët legjendë dhe realisht çdo lloj materiali muzikor që i reziston kohës shndërrohet në klasike… kjo është arsyeja pse notat e ‘Granadës’ të kënduara 50 vjet më parë nga Claudio Villa tingëllojnë sikur të ishin shkruar dje”. Ja, kjo gjë u mungon këngëve apo muzikës që shkruhet sot, nuk ka kreacion të pastër, ajo gjendja limpide që buron nga shpirti, shfrytëzon talentin për t’u përkthyer më tej në një material muzikor. Kjo është tragjedia e muzikës sot… nuk ka kreacion e për pasojë çdo këngë ngjan njëlloj dhe nuk na shkakton kurrfarë emocioni”, thotë ai. Kur bisedon me Fatosin, nuk mund t’i shmangesh dëshirës për pyetjen se çfarë po i ndodh muzikës sot dhe shijes së shqiptarëve për muzikën. “Problemi i muzikës sot është standardizimi i saj, kur muzika synon vetëm standardin nuk ka më interes për të. Provojeni të dëgjoni për një kohë të gjatë bisedën e një njeriu që flet me tonalitet konstant, a nuk do të bëhej ai i mërzitshëm? Muzika ka fortissimo, piano, crescendo, ka dinamika, Nëse një material nuk i ka këto është si muzikë e vdekur. Nuk jeton më shumë se një sezon”, thotë ai. Në ndryshim nga xhazi që ka marrë fund (e këtë e thotë promotori i kulturës xhaz në Shqipëri) opera ringjallet nga hiri i vet pasi ka më shumë intrigë dhe disa arte të ndërthurura. Në Opera këngëtari dëshmon, ndodhin dashuri fatale, ndodhin vrasje dhe tragjedi, ndaj opera reziston me gjithë momentet e krizës që edhe ajo ka përjetuar”. Opera është shprehje regjisoriale dhe konceptuale. Pra, primar është regjisori e me tej vijnë këngëtarët, dirigjenti, orkestra, kori. Ka një hierarki të përcaktuar mirë dhe tek ne gjithnjë ka pasur një disbalancim të këtyre parametrave, pasi aspekti regjisorial ka qenë problematik”. Fatos Qerimaj e ka nisur eksperimentimin me zhanre të ndryshme muzikore shumë herët, por së pari dashuria e tij ka qenë opera. “Gjithçka di për operën e kam mësuar në fëmijërinë time, jam rritur në shkallët e saj dhe për një kohë të gjatë kam qenë i obsesionuar pas operave, nuk lija shfaqje pa ndjekur, derisa kuptova që çdo periudhë e jetës lidhet me një afrim apo largim nga një rrymë muzikore. Artisti i vërtetë nuk duhet të mbetet peng apo skllav i një trendi apo i një note, ai duhet të jetë në eksperimentim dhe përndritje të vazhdueshme. Vetëm kështu lind arti i vërtetë dhe përndritet shija dhe mendimi estetik. E kjo nuk vlen vetëm për artistët, por edhe për publikun. Edukimi i shijes fillon nga artisti ndaj rizgjimi fillon nga vetë ata. Nuk mund të bëhemi skllevër të një folklorizmi vulgar që ka pushtuar muzikën sot”, tregon ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button