Tiranë 25°C · Pjesërisht vranët 02 September 2026
S&P 500 7,669 ▲0.49%
DOW 53,068 ▲0.57%
NASDAQ 26,205 ▲0.4%
NAFTA 90.83 ▲0.68%
ARI 4,426 ▲0.68%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1594 EUR/GBP 0.8572 EUR/CHF 0.9408 EUR/ALL 92.2905 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3276 EUR/TRY 55.9776 EUR/JPY 185.64 EUR/CAD 1.6104 EUR/USD 1.1594 EUR/GBP 0.8572 EUR/CHF 0.9408 EUR/ALL 92.2905 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3276 EUR/TRY 55.9776 EUR/JPY 185.64 EUR/CAD 1.6104
₿ CRYPTO
BTC $77,258 ▼ -0.13% ETH $2,392 ▼ -1.18% XRP $1.3462 ▼ -1.11% SOL $99.4100 ▼ -0.65%
S&P 500 7,669 ▲0.49 % DOW 53,068 ▲0.57 % NASDAQ 26,205 ▲0.4 % NAFTA 90.83 ▲0.68 % ARI 4,426 ▲0.68 % S&P 500 7,669 ▲0.49 % DOW 53,068 ▲0.57 % NASDAQ 26,205 ▲0.4 % NAFTA 90.83 ▲0.68 % ARI 4,426 ▲0.68 %
EUR/USD 1.1594 EUR/GBP 0.8572 EUR/CHF 0.9408 EUR/ALL 92.2905 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3276 EUR/TRY 55.9776 EUR/JPY 185.64 EUR/CAD 1.6104 EUR/USD 1.1594 EUR/GBP 0.8572 EUR/CHF 0.9408 EUR/ALL 92.2905 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3276 EUR/TRY 55.9776 EUR/JPY 185.64 EUR/CAD 1.6104
02 Sep 2026
Breaking
Politika

Qeveria ndryshon ligjin për ndërtimet pa leje, ja si do të mbrohen qytetarët që…

Këshilli i Ministrave ka miratuar dhe i ka përcjellë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 66/2023 ‘Për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje’”. Nisma e re ligjore, e propozuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, sjell një riorganizim të plotë institucional duke i kaluar kompetencat kryesore te Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK).

Ndryshimet synojnë thjeshtimin e procedurave administrative për përfundimin e ndërtimeve të lëna përgjysmë, mbrojtjen e personave të tretë që kanë porositur njësi banimi, si dhe përdorimin e sipërfaqeve të konfiskuara për strehim social apo interes publik.

Roli i ri i AAPSK-së dhe krijimi i Fondit të Dedikuar

Sipas draftit të ri, AAPSK merr një rol qendror operativ, duke vepruar si përfaqësuese e pronarit shtet pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) dhe Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT). Projektligji përcakton se nga ky moment, “‘Grupi i punës’ është grupi përgjegjës i ngritur pranë AAPSK-së, me urdhër të titullarit, për hartimin dhe realizimin e masave të administrimit e të zhvillimit për ndërtimin, përshtatjen, përfundimin, administrimin dhe shfrytëzimin e objekteve të konfiskuara”.

Për të mbështetur financiarisht këtë proces, krijohet një llogari e posaçme publike, e cila në tekst përkufizohet si “burime financiare, të cilat destinohen për veprimtarinë/zhvillimin e objekteve pa leje, që janë konfiskuar dhe i kanë kaluar në administrim AAPSK-së”. Ky fond do të ushqehet nga të ardhurat e krijuara nga shitja ose dhënia me qira e objekteve të konfiskuara, financimet e ligjshme vendase apo të huaja, si dhe alokimet nga buxheti i shtetit.

Legalizimi i banesave të porositësve dhe mbrojtja e palëve të treta

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar qytetarëve që kanë blerë apo porositur njësi banimi e biznesi përpara se të konstatohej shkelja ligjore nga ndërtuesit. Projektligji parashikon mbrojtje të drejtpërdrejtë për kontratat e rregullta noteriale të regjistruara në Kadastër.

Për më tepër, drafti përcakton se “për objektet me shkelje të lejes së ndërtimit, për të cilat gjatë vlerësimit nga grupi i punës konstatohet se janë përfunduar punimet e ndërtimit në strukturë dhe posedohen/përdoren nga palët e treta/porositës/përfitues të njësive individuale me kontratë të hartuar përpara noterit me investitorin/subjektin zhvillues, legalizohen dhe regjistrohen sipas ligjit nr. 20/2020”.

Në këto raste, AAPSK do t’i kërkojë zyrtarisht Kadastrës vijimin e procedurave të legalizimit.

Sa i përket marrëdhënieve financiare, agjencia ka të drejtë të zhdëmtojë palët e treta me mirëkuptim, ndërsa për ndërtuesit që kanë tejkaluar lejen e ndërtimit me mbi 10%, projektligji parashikon masa strikte: “në rast moskryerjeje të pagesës nga ana e tij, merren masa për bllokimin e llogarive bankare apo aseteve të subjektit zhvillues/zbatues/mbikëqyrës/kolaudues, me qëllim mbulimin e shpenzimeve për kryerjen e punimeve”.

Kushtet e ankandit publik dhe lejet e përshpejtuara

Projektligji normon gjithashtu procedurat e shitjes së pasurive të konfiskuara, duke vendosur një dysheme të patundshme financiare. Teksti saktëson se “në asnjë rast nuk lejohet ofrimi i shitjes me një çmim më të ulët se vlera fillestare e ankandit publik”, ndërsa shton kategorikisht se “subjektet, në cilësinë e zhvilluesit/zbatuesit/mbikëqyrësit/kolauduesit të pronës së konfiskuar nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në procedurat e shitjes”.

Për të përshpejtuar proceset e rehabilitimit, AAPSK përjashtohet nga të gjitha tarifat e aplikimit për leje ndërtimi, certifikata përdorimi, si dhe nga taksa e ndikimit në infrastrukturë. Nga ana e saj, Agjencia e Zhvillimit të Territorit do të zbatojë procedura të përshpejtuara për miratimin e lejeve të reja të ndërtimit brenda një afati 90-ditor nga depozitimi i kërkesës.

Dispozitat kalimtare dhe e drejta e parablerjes

Të gjitha dosjet, dokumentacioni dhe fondet e akumuluara deri më tani nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit do t’i kalojnë AAPSK-së brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e aktit.

Projektligji u lë gjithashtu hapësirë poseduesve aktualë: “subjekteve poseduese, të cilat deklarojnë me vullnetin e tyre objektet e ndërtuara pa leje pranë organit kompetent (AZHT), brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, do t’u njihet e drejta e parablerjes”.

Ligji i ri parashikohet të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit të tij në Fletoren Zyrtare.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.