Rama e shkarkoi nga drejtimi i PS në Tiranë, Veliaj mesazh të koduar përmes Maratonës: Mos u dorëzo, kujtohu pse u nise
Kryebashkiaku i Tiranës reagoi pas shkarkimit nga drejtimi i socialistëve të kryeqytetit, duke ndarë një video nga nisja e Maratonës dhe një mesazh për të mos u dorëzuar.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar me një mesazh të koduar pas shkarkimit nga drejtimi i Partisë Socialiste në Tiranë, duke ndarë një video nga momenti kur tymueset shumëngjyrëshe sinjalizojnë nisjen e Maratonës së Tiranës, siç njofton Shqiptarja.com. Në mesazhin e tij, Veliaj shkruan se rruga është sfiduese dhe mbërritja në finish është e rëndësishme, por po aq e rëndësishme është të mos heqësh dorë.
“Ka momente kur rrethanat të thonë të ndalesh, por vullneti të kujton pse u nise. Mos u dorëzo, beso te forca jote dhe vazhdo përpara!”
Shkarkimi i Veliajt nga drejtimi i PS-së së Tiranës u bë nga kryesocialisti Edi Rama gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të Asamblesë. Rama i ka quajtur të pavërteta dhe të sajuara bisedat e pretenduara të Veliajt me ministrin e Drejtësisë Toni Gogu në paraburgimin e Fierit.
Nga paraburgimi i Fierit, Veliaj e ka akuzuar kryeministrin se e ka kërcënuar me rëndim të pozitës penale nëse nuk pranonte se fshihet pas protestave në Tiranë dhe nëse nuk hiqte dorë nga mandati. Rreth një orë para nisjes së Asamblesë, Veliaj publikoi fjalimin që do të mbante, pasi nuk iu garantua pjesëmarrja në mbledhje; në të ai kërkoi mocion mosbesimi dhe largimin e Ramës nga drejtimi i Partisë Socialiste, si dhe reformimin e saj.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.