Rama: “Paketa e Maleve” do t’i kthejë malet në Shqipërinë në një “Zvicër të vogël” dhe do rrisë ekonominë e tyre
Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur komenteve të qytetarëve në rrjetet sociale lidhur me nismën “Paketa e Maleve”, duke theksuar se kjo është një mundësi konkrete për zhvillimin e zonave malore, rikthimin e të rinjve dhe nxitjen e investimeve në harmoni me natyrën.
Sipas Ramës, vizioni për një “Zvicër të vogël” nuk lidhet vetëm me bukuritë natyrore, por me krijimin e një ekonomie të qëndrueshme që bazohet te turizmi cilësor.
“Po na bëhet një Zvicër e vogël dhe këtë e ndihmon edhe ‘Paketa e Maleve’. Zvicra e madhe është një vend që, për shkak të maleve, ka zhvilluar turizmin. Dhe nuk është thjesht turizëm i njerëzve që ecin me një shkop në dorë, por është turizëm elitar, ku vizitorët konsumojnë shumë dhe krijojnë ekonomi. Kjo ‘Zvicër e vogël’ bëhet pikërisht duke u dhënë mundësi njerëzve që jetojnë në male të investojnë në harmoni me natyrën, të krijojnë mirëqenie dhe të mos i braktisin këto zona. Gjithashtu, u jepet mundësi edhe të rinjve që jetojnë në Tiranë, Shkodër, Kukës apo gjetkë, por që kanë trashëguar prona në zonat malore, të rikthehen dhe të investojnë aty. Kjo do të thotë më shumë ekonomi dhe më shumë të ardhura. Historia e atyre që e kanë bërë tashmë këtë e tregon qartë se funksionon”, tha Rama.
Rama hodhi poshtë pretendimet se “Paketa e Maleve” është një nismë propagandistike, duke theksuar se rezultatet e para janë tashmë të dukshme.
“Kjo paketë nuk është propagandë, sepse copëzat e ‘Zvicrës së vogël’ kanë filluar të lindin dhe kjo tregon se malet tona mund të shndërrohen në një destinacion të zhvilluar. Është një paketë edhe për emigrantët, të cilët prej vitesh nuk kanë pasur mundësi të gëzojnë pronat e tyre për shkak të mungesës së dokumentacionit. Tani po krijohen kushtet që edhe ata të investojnë në pronat e trashëguara dhe të bëhen pjesë e zhvillimit të zonave malore”, tha ai.
Rama shtoi se “Paketa e Maleve” synon të lehtësojë procedurat për zhvillimin e investimeve në zonat malore dhe “të zgjidhë problematikat që lidhen me pronësinë dhe të krijojë mundësi të reja ekonomike për banorët dhe emigrantët që zotërojnë prona në këto zona”.
Ne përditësim….



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.