Rama prezanton paketën kundër dhunës: Kush thyen, paguan! Gjoba deri në 500 mijë lekë për dëmtimin e pronës
Kryeministri Edi Rama prezantoi paketën e re ligjore kundër dhunës dhe dëmtimit të pronës gjatë protestave dhe grumbullimeve publike, duke paralajmëruar masa më të ashpra ndaj autorëve të akteve vandale. Në qendër të paketës është ligji i ri sipas modelit francez, i përmbledhur në parimin: “Kush thyen, paguan”.
Sipas kryeministrit, ndërsa akti normativ i miratuar nga qeveria synon të adresojë dëmet e shkaktuara nga ngjarjet e fundit, ligji i ri krijon një bazë të qëndrueshme ligjore për rastet e ardhshme të dëmtimit të pronës publike dhe private gjatë tubimeve.
“Parimi është i thjeshtë: kush shkakton dëm, e paguan atë. Barra nuk do të bjerë më ekskluzivisht mbi taksapaguesit dhe buxhetin e shtetit, siç ka ndodhur deri më sot”, u shpreh Rama.
Ligji parashikohet të zbatohet për të gjitha tubimet në vende publike, qofshin ato të njoftuara, spontane apo të palejuara, si edhe për aktivitete sportive, kulturore dhe festive, kur prej tyre shkaktohen dëme materiale ndaj pronës publike ose private.
Kryeministri sqaroi se përgjegjësia financiare nuk lidhet me praninë e thjeshtë në një grumbullim, por me sjelljen individuale të secilit pjesëmarrës. Megjithatë, personat që marrin pjesë në tubime të dhunshme dhe refuzojnë të largohen pas thirrjeve të policisë mund të mbajnë përgjegjësi financiare për pasojat e shkaktuara.
Si pjesë e paketës, qeveria ka miratuar edhe një akt normativ për dëmshpërblimin e menjëhershëm të bizneseve të vogla që janë dëmtuar. Sipas Ramës, shteti do të mbulojë nga 70 deri në 100 për qind të dëmeve, në varësi të rastit dhe vlerësimit përkatës.
Ligji i ri parashikon gjoba që arrijnë deri në 500 mijë lekë të reja për shkeljet e përcaktuara. Ndërkohë, për dëmet e shkaktuara nga të miturit, përgjegjësia financiare do t’u kalojë prindërve ose kujdestarëve ligjorë.
“Përjashtohen gazetarët, personeli mjekësor dhe kalimtarët. Për të miturit, gjobat do të paguhen nga prindërit ose kujdestarët. Këto masa hyjnë në fuqi menjëherë”, deklaroi kryeministri.
Prezantimi i paketës ligjore vjen një ditë pas incidenteve të raportuara gjatë protestës në Tiranë, ku pati përplasje, sulme ndaj institucioneve dhe dëmtime të pronës publike e private. Qeveria argumenton se masat e reja synojnë të mbrojnë rendin publik, pronën dhe qytetarët, duke garantuar njëkohësisht të drejtën kushtetuese për tubim dhe shprehje.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.