Rama pritet me ceremoni zyrtare në Tokio nga homologia Takaichi: Hap i ri në marrëdhëniet Shqipëri–Japoni
Kryeministri Edi Rama është pritur me një ceremoni zyrtare shtetërore në Tokyo nga homologja e tij japoneze, Sanae Takaichi, në një vizitë që synon forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Japonisë.
Pas nderimit të dy himnevepërkatëse, Rama dhe homologia e tij Takaichi parakaluan para trupave ushtarakë.
Gjatë takimit, Rama theksoi se pritja me nderime të larta shtetërore përbën një moment domethënës në zhvillimin e partneritetit dypalësh dhe një vlerësim për transformimin dhe progresin e Shqipërisë. Sipas tij, ekziston një potencial i madh për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha strategjike si ekonomia, teknologjia, energjia, mbrojtja dhe turizmi.
Kryeministri shqiptar u shpreh se Shqipëria mbështet strategjinë e një Indo-Paqësori të lirë dhe të hapur, duke e cilësuar atë si një vizion që promovon paqen, sigurinë, lirinë e lundrimit dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare.
Po ashtu, gjatë bisedimeve u ritheksua qëndrimi i përbashkët i Shqipërisë dhe Japonisë në mbështetje të Ukrainës dhe kundër agresionit rus, si pjesë e angazhimit për një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
“Nder i veçantë pritja me ceremoninë e lartë shtetërore nga Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, në një moment domethënës për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të partneritetit mes Shqipërisë dhe Japonisë.
Vëmendja dhe interesi i saj ndaj Shqipërisë përbëjnë një vlerësim të rëndësishëm për transformimin dhe përparimin e vendit tonë, si edhe për potencialin e madh të bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Ky potencial u pasqyrua qartë në vullnetin e përbashkët për ta zgjeruar partneritetin në fusha me rëndësi strategjike, si ekonomia, teknologjia, energjia, mbrojtja dhe turizmi.
Shqipëria mbështet pa rezervë Strategjinë e Përditësuar të Indo-Paqësorit të Lirë dhe të Hapur, si një vizion që promovon paqen, sigurinë, lirinë e lundrimit, respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe bashkëpunimin mes kombeve në një rajon me rëndësi vendimtare për të ardhmen e botës. Po ashtu, Shqipëria dhe Japonia ndajnë të njëjtin qëndrim të palëkundur në mbështetje të Ukrainës dhe kundër agresionit rus, si një sfidë ndaj rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla“, shkruan Rama në rrjetin social Facebook.
Rama i ka përcjellë ftesën Kryeministres Takaichi për të vizituar Shqipërinë vitin e ardhshëm, përfshirë pjesëmarrjen në Samitin e NATO-s që pritet të zhvillohet në vend. Sipas tij, kjo do të forconte më tej bashkëpunimin dhe miqësinë mes dy vendeve.
“Ishte kënaqësi e veçantë t’i përcillja Kryeministres Takaichi ftesën për të vizituar Shqipërinë vitin e ardhshëm, jo vetëm për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s që do të zhvillohet në vendin tonë, por edhe për një takim dypalësh, me bindjen se miqësia dhe bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Japonisë do të vazhdojnë të forcohen në vitet që vijnë”, thekson Rama.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.