Rama tha se Reforma Territoriale nuk është konsultuar ende, reagon PD
Partia Demokratike ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për Reformën Territoriale dhe debatit mbi ndryshimet e mundshme në hartën administrative të vendit.
Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Luçiano Boçi, ka kundërshtuar qëndrimet e kreut të qeverisë, duke akuzuar mazhorancën se po përpiqet të paraqesë si debat demokratik kundërshtimet që, sipas tij, lidhen me pakënaqësi brenda radhëve të Partisë Socialiste.
Sipas Boçit, procesi i reformës duhet të respektojë parimet kushtetuese dhe ligjore, duke kërkuar një konsultim real me banorët e zonave që mund të preken nga ndryshimet territoriale.
“Debati nuk mund të reduktohet në procedura formale apo konsultime institucionale pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të komuniteteve”, është shprehur deputeti demokrat.
Boçi ka kundërshtuar edhe argumentin e afatit 60-ditor të konsultimeve të përmendur nga kryeministri Rama, duke theksuar se ky afat nuk zëvendëson detyrimin për të marrë mendimin e popullsisë së territoreve ku ndryshohen kufijtë administrativë.
Sipas tij, Kushtetuta kërkon që qytetarët e zonave të prekura të dëgjohen paraprakisht dhe që mendimi i tyre të jetë pjesë e procesit vendimmarrës.
Deputeti i PD-së ka deklaruar gjithashtu se konsultimi nuk mund të kryhet vetëm me drejtues vendorë apo ekspertë, por duhet të përfshijë komunitetet në çdo zonë ku mund të ketë ndryshime.
“Një debat i përgjithshëm institucional nuk mund të zëvendësojë konsultimin me qytetarët në territoret që preken nga reforma”, është shprehur Boçi.
Në reagimin e tij, ai ka ngritur edhe shqetësime për mënyrën e hartimit të reformës, duke kërkuar që çdo ndryshim të shoqërohet me analiza ekonomike, sociale dhe demografike.
Boçi ka akuzuar qeverinë se po përpiqet ta trajtojë reformën si një proces të mbyllur, ndërsa sipas tij, vendimmarrja duhet të marrë parasysh shqetësimet e komuniteteve dhe drejtuesve vendorë.
Reforma Territoriale është rikthyer në qendër të debatit politik pas diskutimeve për ndryshime të mundshme në ndarjen administrative të vendit, ndërsa mazhoranca dhe opozita kanë qëndrime të kundërta për mënyrën dhe procedurat e ndjekura.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.