Reduktimi i ushqimeve ultra të përpunuara ul depresionin dhe ankthin
– Një dietë më e shëndetshme, me më pak ushqime ultra të përpunuara, mund të ndihmojë në lehtësimin e simptomave të depresionit dhe ankthit, shkruan focus It.
Ky është rezultati i një studimi paraprak të Universitetit të Kalifornisë në San Francisko, i cili shqyrtoi ndikimin e ndryshimeve në ushqyerje te personat që vuanin nga depresioni.
Studimi përfshiu 20 pjesëmarrës, me një moshë mesatare prej 44 vjeç, 70% e të cilëve ishin gra. Të gjithë kishin indeks të lartë të masës trupore dhe të paktën një çrregullim metabolik, si diabeti, hipertensioni ose kolesteroli i lartë.
Gjithashtu, të gjithë vuanin nga depresioni, ndërsa 14 prej tyre kishin edhe ankth.
Një muaj me ndryshime në dietë
Gjysma e pjesëmarrësve vazhdoi të ndiqte regjimin e zakonshëm ushqimor, ndërsa gjysma tjetër reduktoi me 85% konsumin e ushqimeve ultra të përpunuara.
Nga dieta u hoqën ushqimet e paketuara, pijet me sheqer, produktet e fast food-it dhe ushqimet industriale që përmbajnë ngjyrues, emulsifikues, konservues dhe përforcues të shijes.
Pjesëmarrësit mund të bënin vetë blerjet, duke zgjedhur produkte më të shëndetshme nën udhëzimin e një specialisti.
Pas katër javësh, të dy grupet shkëmbyen regjimet ushqimore.
Rezultatet treguan se reduktimi i ushqimeve ultra të përpunuara u shoqërua me përmirësime nga mesatare në të konsiderueshme në tre tregues të përdorur për vlerësimin e depresionit.
Gjithashtu, te pjesëmarrësit që vuanin nga ankthi u vu re një lehtësim i pjesshëm i simptomave.
Megjithatë, numri i vogël i pjesëmarrësve nuk lejon nxjerrjen e përfundimeve përfundimtare.
Rezultatet paraprake i kanë nxitur studiuesit të planifikojnë një studim të fazës së dytë, që pritet të zhvillohet në vitin 2028.
Lidhja mes zorrëve dhe shëndetit mendor
Një nga hipotezat e studiuesve është se përmirësimi i simptomave mund të lidhet me shëndetin e zorrëve.
Një ushqyerje jo e shëndetshme mund të dëmtojë barrierën intestinale, e cila përbëhet nga qeliza, mikroorganizma, enzima, hormone dhe enë gjaku që mbrojnë zorrët.
Kur kjo barrierë dobësohet, lidhjet mes qelizave të murit të zorrëve mund të bëhen më pak të qëndrueshme, duke lejuar kalimin e disa përbërësve bakterialë ose toksinave në qarkullimin e gjakut.
Sipas autorëve, ky proces mund të kontribuojë me kalimin e kohës në zhvillimin e një inflamacioni kronik, i cili mund të rrisë ndjeshmërinë ndaj depresionit ose të luajë një rol në shfaqjen e tij.
Studiuesit theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar mekanizmat që lidhin ushqyerjen me shëndetin mendor dhe për të përcaktuar nëse reduktimi i ushqimeve ultra të përpunuara mund të përbëjë një strategji të dobishme në trajtimin e këtyre çrregullimeve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.