“Reforma në drejtësi, në fazën e rezultateve konkrete”, Gogu: 53% e qytetarëve besojnë te sistemi. Gjykata e Lartë uli në 60% stokun në 5 vite
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi se reforma në drejtësi ka hyrë tashmë në fazën e rezultateve konkrete për qytetarët, ndërsa Shqipëria shënon 10-vjetorin e nisjes së saj. Në fjalën e tij, ai theksoi se fokusi i institucioneve është forcimi i garancive proceduriale, rritja e efikasitetit të sistemit gjyqësor dhe përmirësimi i aksesit të qytetarëve në drejtësi.
Sipas Gogut, këto prioritete lidhen drejtpërdrejt me procesin e integrimit europian të vendit dhe me përmbushjen e standardeve për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
“Qytetarët nuk mund të kenë besim tek sistemi nëse nuk e aksesojnë atë apo nëse sistemi nuk u përgjigjet në kohë”, u shpreh ministri.
Ai bëri të ditur se gjatë 18 muajve të fundit janë angazhuar rreth 70 institucione dhe 190 ekspertë për procesin e integrimit, ndërsa janë dërguar mbi 8 mijë faqe dokumentacion në Komisionin Europian në kuadër të raportit të vlerësimit për IBAR.
“Në këtë kuptim, ju informoj në lidhje me procesin e integrimit, të një pune të palodhur të një ekipi me një volum pune të paimagjinueshme në 18 muajt e fundit, 70 institucione që janë koordinuar; 190 ekspertë; 90 orë raportin në KE; janë dërguar mbi 8 mijë faqe dokumentacion.
Raporti i vlerësimit të piketave të ndërmjetme (IBAR) ishte proces teknik dhe tashmë ka kaluar nga grupi i punës në grupin e ambasadorëve të vendeve të përhershme. Procesi lëviz, ecën dhe ka mbështetje faktike dhe institucionale të çdo mase nga ana e shtetit shqiptar”, deklaroi Gogu.
Ministri tha se raporti tashmë ka kaluar nga grupet teknike tek ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së dhe po merr mbështetje institucionale.
Duke folur për sistemin gjyqësor dhe çështjet e prapambetura, Gogu theksoi se besimi i qytetarëve tek drejtësia është dyfishuar, nga 26% në 53%, ndërsa perceptimi pozitiv për reformën është rritur nga 34% në 56%. Sipas tij, perceptimi negativ ka rënë nga 38% në 17%.
Megjithatë, ministri pranoi se sfida kryesore mbetet numri i madh i çështjeve të mbartura dhe kostot financiare për qytetarët.
Sipas statistikave të Ministrisë së Drejtësisë, aktualisht janë mbi 137 mijë çështje të mbartura, por ministri tha se trendi ka nisur të bjerë. Ai solli si shembull Gjykata e Lartë, e cila sipas tij ka ulur backlogun me 60% në pesë vitet e fundit dhe me 24% vetëm gjatë vitit të fundit.
“72% e qytetarëve shqiptarë e shohin sistemin të vështirë për ta përballuar financiarisht. Po shohin shenjat e para pozoitive të kthimit të prirjeve në sistem, të çështjeve të mbartura.
Në 137 mijë e 101 çështje që ministria e drejtësisë ka si statistikë, tredi po fillon të zbresë. Është i papërfillshëm se është 2% por kemi një model suksesi që është Gjykata e Lartë e cila ka bërë një zbritje mbresëlënësëe në 5 vite te 60%, vetëm në vitin e fundit 24%”, deklaroi ai.
Gogu shtoi se po rriten kapacitetet njerëzore në gjykata, numri i këshilltarëve ligjorë dhe hapësirat infrastrukturore, ndërsa pritet që Gjykata e Apelit Tiranë të avancojë me projektin për godinën e re.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.