Reforma Territoriale, Deputetja e PS: I kemi votat! Erla: Po votën e Braçes e keni?
Deputetet e Partisë Socialiste, Aulona Bylykbashi në një lidhje live nga Kuvendi për emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me reformën Territoriale. Ajo u shpreh se pas diskutimeve në Kuvend, kjo reformë do të votohet.
E pyetur nëse i kanë votat, Bylykbashi u shpreh se po teksa theksoi se u duhet edhe vota e deputetit socialist, Erion Braçe i cili ka shprehur hapur kundërshtimin e tij.
“Sigurisht që reforma kaq të rëndësishme dhe që ndodhin njëherë në një dekadë, minimalisht do të sjellin edhe një sërë diskutimesh, qofshin këto të brendshme apo edhe debate të jashtme. Kështu që është e mirëkuptueshme që të ketë debate nga të gjitha palët.
Sigurisht që ka sjellë edhe debate të brendshme, por unë vazhdoj të them që këto debate të brendshme kanë qenë debate konstruktive, kanë qenë debate për thelbin. Të gjithë në parim jemi dakord edhe zërat të cilët kanë shprehur kritikat e tyre në lidhje me substancën e këtij procesi, janë një zëri i dakord që ishte momenti që Shqipëria ta bëjë këtë ndarje të re territoriale.
Sigurisht që debati është fokusuar kryesisht mbi funksionet, mbi decentralizimin, mbi dhënien më shumë pushteti qeverisjes vendore. Pra, ka qenë një debat i një faze në fakt që do të vijë menjëherë pas miratimit të ndarjes territoriale. Pra, nuk është ky momenti i bërjes së këtij debati dhe ngritjes së këtyre çështjeve.
Megjithatë është shumë e mirëkuptueshme që edhe për shkak të frymës dhe demokracisë së brendshme të ketë çështje të tilla. Kështu që do të shikojmë pas pak se si të votohet. Por unë vazhdoj të besoj te solidariteti i grupit.
I kemi votat. Edhe kjo reformë pas disa orësh pasi të përfundojnë të gjitha diskutimet do të votohet, edhe do të kalojë besoj Shqipëria në një ndarje të re territoriale që do të jetë gati për zgjedhjet e 2027-s. Por njëkohësisht dua të them që menjëherë pas kësaj, në javën në vazhdim ne do të nisim punën për fazën e dytë të reformës dhe për të adresuar të gjitha shqetësimet e ngritura nga kolegët në raport me funksionet, kompetencat, financimin edhe decentralizimin e pushtetit vendor”, tha Bylykbashi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.