Reforma territoriale, Tabaku thirrje deputetëve të PS-së: Mos e votoni, qytetarët nuk janë dëgjuar
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kundërshtoi në Kuvend reformën territoriale, duke akuzuar shumicën se po e miraton atë pa dëgjuar qytetarët dhe komunitetet që preken prej ndryshimeve.
Gjatë debatit për procedurën në nisje të seancës plenare, Tabaku u bëri thirrje deputetëve socialistë të mos votojnë reformën, për të cilën tha se nuk është një reformë territoriale, por një reformë “politike, elektorale dhe ekonomike”.
“Qytetarët e Tiranës, një e treta e vendit, nuk janë dëgjuar”, deklaroi Tabaku, duke theksuar se sipas saj nuk janë dëgjuar as këshillat bashkiakë, përfshirë edhe ata me shumicë socialiste që kanë votuar kundër reformës.
Sipas deputetes së PD-së, reforma synon përqendrimin e pushtetit ekonomik dhe elektoral, ndërsa akuzoi shumicën se ndryshimet nuk lidhen me përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
Në përfundim, deputetja demokrate e krahasoi votimin e reformës territoriale me vendime të mëparshme të Kuvendit, përfshirë ligjin për investimet strategjike, ligjin për zonat e mbrojtura dhe vendimin për shembjen e Teatrit Kombëtar.
“Këtyre do t’u shtohet njëkohësisht lista e atyre që do të shkrijnë sot, me një të rënë të lapsit, 50 bashki, pa dëgjuar zërin e qytetarëve”, deklaroi Tabaku.
Ajo u bëri thirrje deputetëve socialistë të mos e votojnë kët reformë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.